Lajme

KiE voton: Darian Pavli, anëtar i Gjykatës së Strasburgut

Bledar Hoti-Asambleja e Këshillit të Europës voton pro kandidaturës së Darian Pavlit si anëtar për Gjykatën e Strasburgut për 9 vitet e ardhshme.

Rezultatet e votimit sapo u bënë prezent nga drejtuesi i seancës së Asamblesë Parlamentare të KiE-s, i cili theksoi se me shumicë votash, që në raundin e parë, Pavli mori votëbesimin, pa qenë nevoja të shkohet në një raund të dytë votimi.

Vendimi i Asamblesë Parlamentare u komentua nga ana e deputetit të PS-së, Ervin Bushati, së bashku me deputeten Klotilda Ferhati, të cilët morën pjesë në punimet e  Asamblesë.

Deputetet e PS, Ervin Bushati dhe Klotilda Ferhati

“ Shqipëria kishte paraqitur tre kandidatë, të cilët u përzgjodhën nga një proces i brendshëm i hapur dhe transparent.  Asambleja vlerësoi procesin dhe votoi për gjykatësin e ri të Shqipereisë në GJEDNJ. ”, shkruan deputeti Bushati në një postin në Facebook,

Pas disa peripecive dhe rrëzimesh listash merr fund edhe saga e caktimit të anëtarit të Gjykatës së Strasburgut. Në listën e fundit të 24 korrikut, Qeveria kishte paraqitur tre kandidatë Darian Pavli, Sokol Berberi dhe Marjana Semini. Komiteti i Çështjeve Ligjore dhe Zgjedhjeve në Këshillin e Europës, pas vlerësimit me intervista të kryer më 28 shtator i propozonte Asamblesë së Përgjithshme të KiE-s si kandidatit më të kualifikuar për të qenë anëtar i Gjykatës së Strasburgut.

Tritan Shehu gjatë fjalës së tij në 
Asamblen e Partive Popullore Europiane, PPE.

I gjithë ky proces ka qenë edhe i kontestuar nga ana e opozitës. Një ditë më parë deputetin e PD-së, Tritan Shehu do të deklaronte se procesi shmangu filtrat e Parlamentit dhe të Vettingut.

Shehu bën të ditur se mbas një komunikimi disa mujor të opozitës me strukturat e nivelet e ndryshme, të Këshillit të Europës, në lidhje me “propozimin” e kandidaturave të dërguar nga Qeveria Shqiptare për gjykatën pranë tij, sot kjo çështje u diskutua edhe në grupin parlamentar të Partive Popullore Europiane, PPE.

Demokratët kanë prezantuar qëndrimin e tyre ndaj përfaqësuesve të partive të djathta në këtë Asamble.

“Në ato komunikime të mëparshme, Kryetari Basha ka denoncuar disa herë faktin se procesi i përzgjedhjes së tyre në Shqipëri është bërë larg rregullave të nevojshme e principeve demokratike, duke qenë në vazhdën e kapjes së drejtësisë nga Rama. Sot unë i ringrita këto shqetësime në grupin e PPE të Asamblesë së Këshillit të Europës. Theksova se e gjithë procedura e përzgjedhjes është realizuar e mbyllur, pa asnjë transparencë, pa u marrë mendimi i Kuvendit e opozitës, pa asnjë konsultim me organizmat e gjëra të sistemit tonë të drejtësisë, të specialistëve, të forumeve të tyre etj. Akoma më keq këto propozime janë dërguar pa ju nënshtruar “Vetingut”, gjë kjo e domosdoshme për gjykatësit, prokurorët edhe për policët shqiptare, si dhe e para deklaruar nga Qeveria shqiptare edhe për këtë përzgjedhje. Pra në të gjithë atë proces “përzgjedhje” është implementuar një praktike jo korrekte, e fshehtë, shumë larg standardeve të domosdoshëm dhe e dyfishtë në krahasim me atë çfarë kërkohet së paku formalisht, për të tjerët në vend”, deklaroi Shehu.

Më tej Shehu thekson se “Rilindja kështu, siç po tenton të kapë drejtësinë tonë në Shqipëri, po përpiqet që me po ato instrumente të “errëta” të penetrojë ilegalisht edhe në strukturat e tilla jashtë vendit, gjë kjo tejet e rrezikshme. Pa asnjë lëkundje ky fenomen primitiv, komprometues e shkatërrues, duhet ndaluar sa nuk është vonë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë