Ana e errët

Tenton ta puthë me zor, përfundon në burg pasi e përndoqi duke i propozuar për martesë

Mund të shkosh në burg edhe për një puthje. Kjo i ka ndodhur shtetasit L.A,  i cili u ndalua pas kallzimit të një vajze të re që tregoi se si ajo u përndoq dhe çdo herë që e ndeshte të panjohurin, ai tentonte ta puthte. I ndaluari i policisë numër 1 quhet L. A,  thanë burime shumë të sigurta të Gazetës Si   dhe është i moshës 30 vjeç. Ky shtetas, i cili jeton në kryeqytet akuzohet nga policia se përndoqi një vajzë të re, të cilës i   premtonte një jetë të mirë dhe të garantuar. Më tej kur ka ndeshur në refuzimin e të resë, L. A jo vetëm ju vu këmba këmbës, por nisi ta kanosë për jetën.

“Stresi im ka nisur prej muajit gusht kur ky person nisi të më ndjekë nga mbrapa dhe kudo që shkoja”  rrëfen E. S pranë oficerve të policisë. Por i dyshuari doli hapur në tetor, kur teksa 25 vjeçarja po konsumonte një kafe , ai ju afrua dhe pa u përmbajtur i deklaroi; “Ti do të jesh e imja dhe ke për të parë se si do ta rregulloj jetën”.

Teksa ditët kalonin dhe vajza shpresonte që me indiferencë po i   jeptë të kuptonte të panjohurit që nuk ishte e interesuar për të, në muajin nëntor 2021, L.A hyri në dyqanin ku ajo punonte. “Do dredh një çikë hashash” i ka thënë i dyshuari që ka shtuar më tej: “Nuk të bëj gjë”.

E reja ka lëvizur nga dyqani ku ndodhej për të shmangur kontaktet me të akuzuarin që ka qëndruar aty si një klient. Së fundmi ajo u sulmua tek dera e dyqanit nga i dyshuari që e kapi për krahu.

“Do të puth me zor, merr policinë po të duash nuk më intereson”i tha i   panjohuri. Sipas asaj që që tregojnë kamerat e sigurisë vajza e shtyn të panjohurin që ndërkohë përpiqet ta afrojë. Por e pyetur nëse kishte ushtruar dhunë i akuzuari ajo shprehet kategorikisht që jo. “Megjithëse jam e stresuar që kërkon të më puthë”dëshmoi vajza në policinë numër 1.

Policia tregon se pas  një sërë veprimesh arriti ta identifikojë të panjohurin që rezulton se është 30 vjeçari L.A. Sakaq, në një raport shërbimi që ju tregua Gazetës Si, përshkruhet se i shoqëruari në komisariat u bë agresiv dhe fyes ndaj policisë. “Ai qëllonte derën e dhomës së shoqërimit dhe ofendoi e kërcënoi punonjësit në detyrë”  thuhet në raport shërbimi.

“Sapo mbërriti denoncuesja e cila duhet të kryente procesin e njohjes me të panjohurin, ai reagoi duke e kërcënuar dhe duke u vetqëlluar në kokë me karrige si edhe në mur”shkruhet më tej në procesverbal. Megjithatë përpara një situate të tillë policia i   tregon Gazetës Si se mbas marrjes në pyetje të dëshmisë së vajzës që ka këmbëngulur se thjesht nuk donte shqetësime, nuk veproi me ndalimin e të dyshuarit.

Nga ajo që ndodhi më vonë konfirmohet se 30 vjeçari nuk ka hequr dorë nga fiksimi i tij. “Ai erdhi në dyqan dhe më paralajëmroi se kisha bërë gabim që shkova në polici, ai më tregoi se kërkon të martohet me mua dhe se do isha e tija me çdo kusht”, tregon ajo. Vajza kujton sërisht se ai tentoi ti afrohej që ta puthte duke i thënë:  “Nuk pyes për policinë, do të tërheq zvarrë e do të marr për grua”.

Sipas policisë, nga kqyrja e rrjetit facebook rezulton se i   riu ka një kohë të gjatë që i shkruan vajzës. Por mbasi u ndalua,  burimet bëjnë me dije se edhe ai ka një alibi të tijën.

“Ajo më kërkoi 200 euro për të kryer marrëdhënie me të dhe nuk pranova. E njoh këtë shtetase dhe kam patur marrëdhënie të mira”. Por pasi ai është pyetur se përse qëndronte vazhdimisht në një lokal përballë dyqanit ku punonte 25 vjeçarja, i riu është përgjigjur se “kjo është një rastësi”. Policia thotë se është e bindur që i riu u fiksua ndaj denoncueses deri aty sa jo vetëm kërkonte të martohej me të, por disa herë tentoi ta puthë dhe e gjithë kjo i shkaktoi 25 vjeçares stres dhe gjendje psikologjike të rënduar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë