Lojëra me Dore

Frakturë në brinjë, Rafael Nadal humb turnetë e Montekarlos dhe Barcelonës

Gazeta Si – Rafael Nadal duhet të qëndrojë 4-6 javë jashtë fushave të tenisit. Sipas shtypit spanjoll, dhimbja që e detyroi Nadalin të kërkonte ndihmën e fizioterapistëve në gjysmëfinalen ndaj Alkaraz në “Indian Wells”, ka të bëjë me një dëmtim serioz.

Testet e kryera pas kthimit në Spanjë kanë treguar se Nadal ka një frakturë në brinjë, në krahun e majtë. Spanjolli duket se e ka rënduar më shumë gjendjen, pasi luajti dhe humbi në finale kundër Tajlor Fritz.

“Ky nuk është një lajm i mirë dhe nuk e prisja, – ka shkruar Nadal, duke dhënë lajmin në rrjetet sociale. – Jam i trishtuar, pasi me fillimin e sezonit jam argëtuar shumë. Arrita në këtë fazë të sezonit në gjendje shumë të mirë dhe rezultate shumë të mira. Do tregohem i duruar dhe do punoj fort sapo ta kaloj dëmtimin. Edhe një herë, ju falënderoj të gjithëve për mbështetjen”.

Një ndalesë me kosto kjo për Nadal, i cili ka pasur një ecuri të jashtëzakonshme në 2022-shin, me 20 fitore radhazi dhe sukseset në “Australian Open”, si dhe në Atp e Melburnit dhe Akapulkos. Nadal ka humbur tashmë turnetë e Montekarlos (9-17 prill) dhe të Barcelonës (18-24 prill), dy turne në fusha me dhe.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë