Shendet

Epidemiologu Ulqinaku: Gripi i shpendëve, asnjë rrezik për konsumatorin

Gripi i shpendëve që ka prekur disa subjekte biznesi që mbarështojnë pula në vendin tonë, nuk përcillet tek njeriu përmes konsumit të produkteve të mishit e vezëve. Epidemiologu Dritan Ulqinaku i kontaktuar në telefon nga Gazeta “Si” shpjegoi se ky virus nuk përbën rrezik për shëndetin e konsumatorit.
“Gripi i shpendëve nuk është sëmundje zoonoze siç janë bruceloza, leshmanjoza, apo të tjera sëmundje që merren nga kafshët. Konsumatori duhet të jetë i qetë sepse nuk ka asnjë rrezikshmëri. Por produktet duhet të zien në temperaturë të lartë mbi 75 gradë, për të shkatërruar çdo bakter që mund të ndodhet tek produktet e mishit të pulës apo vezët”, tha Ulqinaku.
Sipas ekspertit të shëndetit publik, Dritan Ulqinaku, Salmonela është një nga sëmundjet që transmetohen tek njeriu nëse konsumon produktet e mishit të pulës dhe vezës që mbartin këtë bakter. Por gripi i shpendëve nuk transmetohet.
Arsyeja, sipas tij, e asgjësimit të shpendëve të prekur nga gripi H5N8 është ndërprerja e zinxhirit të qarkullimit të influencës aviare nga një shpend tek tjetri.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë