Ngjarje

Gripi i shpendëve, 3 vatra në Shqipëri. Bino: Nuk kemi asnjë rast te njerëzit, por po kryhen vazhdimisht testime

Pas konfirmimit të gripit të shpendëve në Shqipëri, Shefja e Shërbimit të Epidemiologjisë në ISHP, Silva Bino, i tha Gazetasi.al se deri tani nuk ka asnjë rast te njerëzit. Ajo tha se punonjësit e stabilimenteve që janë testuar deri tani nuk kanë shfaqur probleme, siç ka raste në Rusi, ku Bino tregon se virusi H5N8 është konstatuar në forma të lehta tek punonjësit e stabilimenteve atje.

Silva Bino

“Ndërkohë ne po marrim masa, si përforcim i mbikëqyrjes se njerëzve që punojnë në stabilimente të pulave dhe testim i menjëhershëm për grip dhe grip shpendësh. Seroprevalencë për të parë ndonjë infeksion të kaluar dhe përforcim i masave higjienike dhe testuese në ferma”, shtoi më tej Bino për Gazetasi.al.
Deri më tani në vendin tonë janë aktive tre vatra, si ferma në Dajt, Fushë Krujë dhe një tjetër në një fshat të Tropojës. Ndërkaq shenjat tek njerëzit përngjajnë me gripin që prek njerëzit, rrufë, temperaturë dhe kollë pa sekrecione.

Gripi i shpendëve konkretisht është një infeksion që shkaktohet nga viruse të gripit normalisht tipik për to. Shpendët e egra i mbartin ato në zorrë, por në raste të rralla sëmuren. Sipas të dhënave njihen deri në 15 nën-lloje të virusit të gripit të cilët prekin shpendët, duke ofruar në këtë mënyre një rezervuar të madh të viruseve të gripit që qarkullojnë në popullatat e shpendëve. Si të gjitha viruset e tjera, infektimi anashkalohet duke ruajtur masat higjienike.
Ministria e Bujqësisë ka njoftuar më herët se po monitoron situatën dhe theksoi se pas njoftimit të dhënë nga Organizata Botërore e Shëndetit të Kafshëve, për praninë e virusit të Gripit të shpendëve në disa vende të rajonit dhe më gjerë u hartua një plan masash mbrojtëse.
Masat marra deri më tani konsistojnë ndalimin e tregtimit nga pularitë ku është konfirmuar sëmundja dhe ngritja e Qendrës Kombëtare të Krizës për drejtimin dhe koordinimin e planit të veprimit për monitorimin e problemit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë