Gazeta Si - Gjykata e Tiranës ka liruar Artan Koçiun nga burgu, duke vendosur masën e sigurisë “arrest shtëpie” për 61-vjeçarin, i cili u arrestua, pasi iu gjetën në banesë 4 mijë vepra arti të llojeve të ndryshme.
Gjatë seancës gjyqësore, Koçiu ka deklaruar para prokurorit të çështjes se nuk ka vjedhur asnjë prej tyre.
“Ato që më thonë janë të vjedhura, i kam blerë në tregun e zi. Jam koleksionist dhe blej ku gjej më lirë. Nuk i kam vjedhur unë por nuk e di kujt i përkasin. Të tjerat janë materiale që i kam në restaurim. Dhe janë porosi të personave të ndryshëm”, është shprehur ai.
Ai u arrestua një ditë më parë në banesën e tij në Tiranë, ndërsa prokuroria kërkoi më herët masë "arrest me burg".
4000 vepra artit u zbuluan në një banesë në Tiranë në rrugën 'Shyqyri Brari', pranë zonës “Ali Demi”, që ishin të karakterit fetar dhe kapnin vlerën e miliona eurove.
Veprat dyshohet se janë vjedhur në kishat në Shqipëri, Greqi dhe Maqedoni, ndërsa vetë Ministria e Kulturës një ditë më parë tha se 20 ikona janë vjedhur në Maqedoninë e Veriut dhe do i kthehen.
61-vjeçari Artan Koçiu ka qenë i arrestuar edhe më parë edhe në 2013 gjatë operacionit 'Ikona' së bashku me Gjergji Thimion, të akuzuar për trafik ikonash.
Në atë kohë, Gjegji Thimo dhe personat e tjerë të arrestuar përfshirë edhe Koçiun, hodhën poshtë akuzat, duke theksuar se veprat e artit të sekuestruara nga policia janë koleksion i mbledhur prej vitesh madje edhe me leje të Ministrisë së Kulturës.
Ndërkohë, Prokuroria e Tiranës dhe Ministria e Kulturës kanë nisur të bëjnë inventarizimin e veprave të artit në vendin tonë për të përcaktuar nëse materialet e gjetura në banesën e Koçiut janë pjesë e saj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.