Pas zbulimit të 4 mijë objekteve të trashëgimisë kulturore në një banesë në Tiranë, Ministria e Kulturës shprehet se është ende herët për të konkluduar nëse kemi të bëjmë me objekte të vjedhura apo të humbura, ndërkohë që një pjesë e tyre mund të jenë me origjinë të huaj.
Në një reagim, Ministria e Kulturës bën me dije se falë bashkëpunimit të frytshëm ndërinstitucional u bë i mundur sekuestroja preventive e një sasie të konsiderueshme objektesh, një pjesë e të cilave, nga verifikimi paraprak, dyshohet të jenë pjesë e trashëgimisë kulturore.
Ministria e Kulturës shprehet se nëpërmjet institucioneve të saj të specializuara, ka bashkëpunuar ngushtësisht në nivel ekspertize me Policinë e Shtetit dhe është bërë pjesë aktive e procesit të identifikimit dhe inventarizimit të objekteve të sekuestruara: fotografimin dhe regjistrimin e tyre.
“Do të vijohet me procesin e identifikimit, i cili do të zgjasë, deri në verifikimin e plotë dhe përfshirjen e tyre në databazën e objekteve të zhdukura. Ministria e Kulturës ka ekspertizën e nevojshme në identifikimin e këtyre objekteve, krahas regjistrimit të tyre. Është ende herët për të konkluduar nëse kemi të bëjmë me objekte të vjedhura apo të humbura, të përfshira në Regjistrin e Trashëgimisë sonë Kulturore, ndërkohë që një pjesë e tyre mund të jenë me origjinë të huaj”, thuhet në deklaratën e Ministrisë.
Në vijim, Ministria e Kulturës falënderon Policinë e Shtetit për kontributin e dhënë në luftën kundër trafikimit të trashëgimisë sonë kulturore, një luftë të cilën po e intensifikojmë edhe më tej edhe pas ratifikimit të marrëveshjes së bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe me administrimin e bazës së të dhënave mbi objektet e vjedhura prej Institutit Kombëtar të Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore.
Ndër të tjera, Ministria shprehet se shumë shpejt Shqipëria do të rikthejë në Maqedoninë e Veriut edhe 20 ikona, të cilat pas sekuestrimit rezultuan të ishin me origjinë pikërisht nga shteti fqinj. Sipas MK, i njëjti proces verifikimi dhe konfirmimi mbi origjinën e tyre do të kryhet edhe me objektet e sekuestruara së fundmi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.