Eksportet e mallrave në vend, gjatë shkurtit 2022 arritën vlerën e 37 mld lekëve me rritje mbi 50% nga shkurti i kaluar dhe 6.5% nga janari 2022. Importet patën vlerë dhe rritje më të madhe, 69 mld lekë dhe 25% më shumë nga janari. Deficiti për shkurtin rezulton 31 mld lekë.
Përgjatë dy muajve të parë të 2022-shit, eksportet arritën në 72 mld lekë me rritje 49% dhe importet 124 mld lekë me 27% rritje nga një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 51 mld lekë, duke u rritur me 5%.
Në rritjen e eksporteve për muajin shkurt, kontributin më të madh e kanë dhënë ato të lëndëve minerale djegëse dhe energjisë elektrike me 20%, materialet e ndërtimit dhe metalet me 12% dhe tekstilet me 9%. Të njëjtat lëndë nga kontribuar gjatë të dy muajve të pare të vitit 2022.
Mineralet, lëndët djegëse dhe energjia elektrike kanë qenë po ashtu faktorë kryesorë të rritjes së importeve, me 11% rritje, materialet e ndërtimit me 7% dhe ushqimet, pijet e duhani me 5%. Të njëjtat grupe ndikuan dhe në rritjen dymujore të importeve.
Gjatë këtij muaji, Shqipëria ka rritur eksportet me Kosovën me 58%, njësoj sa edhe me Italinë dhe i ka trefishuar me Gjermaninë. Ndërkohë, vendi ynë ka reduktuar ndjeshëm eksportet me Spanjën, me 90% ulje, me Turqinë, 42% dhe me SHBA-në 12%.
Partner kryesor për importet në Shqipëri vazhdon të mbetet Italia, por rritjen më të madhe e ka pasur Turqia me 46%, Italia me 21% dhe Greqia 26%. Raportohet ulje e mallrave të importuara nga SHBA me 40% dhe Ukraina me 13%.
Sipas tabelës së Instat, një vlerë e konsiderueshme e importeve janë kryer me Rusinë gjatë dy muajve të parë 2022, 2 mld lekë. Ndërsa, eksportet vetëm 2 mln lekë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.