Ne rrjet

Ushtarët rus të kapur rob në Ukrainë të trishtuar: Na falni, u gënjyem nga Putini!

Gazeta Si – “Kërkoj faljen tuaj: të gjithë Ukrainës. Më falni që erdha këtu, jam shumë i turpëruar”.

Ushtari rus ul kokën. “Putini, – vazhdon ai, – ka thënë vetëm gënjeshtra, na kanë detyruar të vijmë këtu. Dua t’i kërkoj falje të gjithë Ukrainës që erdha këtu”.

Kërkesa për falje e ushtarit rus të burgosur në Ukrainë u bë në një konferencë për shtyp të organizuar nga ushtria e Kievit në Sumy, një qytet në verilindje, që është një udhëkryq për ata që largohen nga vendi, diçka që ushtari rus, në momentin e arrestimit, po përpiqej të bënte.

I sjellë para gazetarëve si një rob lufte, ai përsëriti disa herë “më vjen turp” dhe “më falni”, dhe shtoi se “ushtarët ukrainas më trajtuan mua dhe shokët e mi mirë, na dhanë të hamë gjëra të mira … ushtria jonë ruse na dha ushqim që ka kohë që ka skaduar. Unë u regjistrova më 23 qershor 2021 në ushtri, më 24 shkurt 2022 pushtuam Ukrainën. Deri në të fundit na thanë se ishte vetëm një stërvitje në territorin rus”.

Dëshmia e ushtarit – i cili mbeti anonim – bëri xhiron e mediave ndërkombëtare.

Ajo i shtohet një sërë dëshmish të ngjashme, të bëra në mënyrën më publike të mundshme dhe të përdorura nga ushtria ukrainase për të komunikuar, para së gjithash për aleatët perëndimorë, ato që duken më shqetësuese. “prapaskenë” e përgatitjes ushtarake të ushtarëve armiq, të cilëve iu janë hequr celularët e tyre, “që të mos kërkojmë në internet për lajmet e konfliktit” dhe se – kështu del në shumicën e dëshmive të të burgosurve rusë ditët e fundit – ata shpesh kanë mbërritur në Ukrainë, duke besuar se ishin pjesë e një stërvitjeje, duke menduar e ishin në tokën ruse.

Kjo është ajo që del, për shembull, nga fjalimi i një ushtari anonim në drejtimin e një tanku në Kiev të enjten: dëshmia e tij ishte ende “e ekspozuar” si dokument në një konferencë shtypi nga ushtria ukrainase.

“Në Rusi na konsiderojnë tashmë të vdekur”, tha ushtari. “Kam qenë në gjendje të telefonoj prindërit e mi, jo të gjithëve ia lejojnë. Njerëzit e mi thonë se kanë planifikuar funeralin tim për mua. Nëse kthehemi si të burgosur në formë shkëmbimi, bashkatdhetarët tanë do të na qëllojnë, pasi do të ndiheshin të turpëruar”.

Me të, të enjten, në konferencën për shtyp, ishin edhe dhjetë shokë të tjerë. Njëri prej tyre foli për “shokët e vrarë nga ne, sepse i kishin ngatërruar me civilë, para syve të mi”.

Në një konferencë shtypi të premten, të transmetuar drejtpërdrejt nga agjencia ruse “Interfax”, një nënkolonel në Forcat Ajrore, regjimenti i 47-të rus, u identifikua si Maxim Krishtop dhe foli për urdhrat që kishte marrë – dhe kishte kryer – për të, “bombarduar me vetëdije objektivat civile. Pranoj përmasat e krimeve që kam kryer dhe kërkoj falje nga e gjithë Ukraina”, përfundoi ai. Krishtop u kap rob më 6 mars.

Konferencat për shtyp nga ushtarët e kapur, janë gjithnjë e më të shumta dhe synojnë të tregojnë mungesën e përgatitjes së rusëve.

Por edhe mungesën e besimit të drejtuesve të tyre. Një komandant anonim i kapur rob më 10 mars, tha në video se, “urdhri për të marrë Kharkivin në tre ditë, erdhi drejtpërdrejt nga Putin” dhe se për ta ekzekutuar atë, “ne u urdhëruam të bombardojmë civilët”.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë