Motosport

Hemilton flet hapur: Mercedesi ka shumë probleme, nuk mund të fitojmë!

Gazeta Si – Testet treditore të Bahrainit në prag të startit të Botërorit 2022 kanë lënë një shije të hidhur te Ljuis Hemilton, 7 herë kampion bote në Formulën 1. Pas xhirove në pistë të “W13”, piloti britanik është i zhgënjyer jo pak.

“Natyrisht, është shumë shpejt të mendosh se nuk do të luftojmë për titullin, por për momentin nuk besoj se Mercedesi është në gjendje të fitojë. Ka potencial te kjo makinë, por duhet të jemi në gjendja ta nxjerrim prej saj dhe të zgjidhim disa probleme që kemi parë aktualisht. Dhe për këtë jemi duke punuar”, – tha fillimisht Hemilton.

Ljuis Hemilton. Gazeta Si, 14 mars 2022

Më pas, anglezi ka shtuar: “Nuk është vetëm çështje modifikimesh, është diçka ndryshe. Nuk do të arrijmë ta bëjmë makinën të duket mirë, ashtu si vitin e kaluar. Kemi para nesh një sfidë të vështirë dhe nuk bëhet fjalë për një zgjidhje që kërkon vetëm një javë kohë”.

Bilanci i Hemiltonit nuk është ndër më të mirët: “Mendoj ndershmërisht se do të na duhet pak kohë, por nga ajo që më është thënë, kemi potencial. Të gjithë po bëjnë një punë të shkëlqyer, në fabrikë po punojnë më fort, por kemi disa pengesa për të kaluar. Javën e ardhshme do të kemi demonstrim më të mirë të ritmit. Besoj se njerëzit do të surprizohen”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë