Arsimi parashkollor në Shqipëri vuan cilësinë e stafit të mësimdhënies dhe kushtet fizike, ndërsa mungesa e fondeve të mjaftueshme dhe emigracioni e vështirëson gjetjen e mësuesve të kualifikuar.
Shumë nga mësuesit e kualifikuar pikërisht në arsimin parashkollor zgjedhin të largohen nga Shqipëria drejt vendeve të zhvilluara perëndimore, duke e vështirësuar kështu gjeten e mësuesve të duhur të arsimit parashkollor në Shqipëri.
Kjo është ajo çfarë vërehet në një raport të UNICEF në lidhje me arsimin parashkollor në vend.
Ndërsa theksohet se përgjegjësia për rekrutimin e punonjësve në arsimin parashkollor u përket NJQV-ve, vijohet se zhvillimi i aftësive në fëmijërinë e hershme përftohen përmes ndërveprimit me mjedisin që i rrethon dhe për këtë arsye, “programet që synojnë zhvillimin, kujdesin dhe arsimimin e fëmijëve nën moshën gjashtë vjeç duhet të trajtojnë si përfitues të drejtpërdrejtë fëmijët bashkërisht me prindërit dhe kujdestarët”.
“Ata duhet të përfitojnë nga ndërhyrje të mirëkoordinuara shumësektoriale që përfshijnë elementet thelbësore të stimulimit, arsimimit, shëndetit, ushqyerjes dhe mbrojtjes. Para së gjithash, këto ndërhyrje duhet të përmbushin nevojat e të gjithë fëmijëve, duke përfshirë fëmijët me aftësi të kufizuara dhe ata që u përkasin pakicave kombëtare.”
Një raport i Komisionit Europian dhe pikërisht në Dokumenti i Punës së Stafit të Komisionit: Programi i Reformës Ekonomike 2019-2021 bën me dije se “Në Shqipëri ekzistojnë një sërë ligjesh të ndryshme që kanë të bëjnë me shëndetin, arsimin, ushqyerjen dhe mbrojtjen sociale të fëmijëve, por mungon një politikë gjithëpërfshirëse kombëtare që adreson zhvillimin, kujdesin dhe arsimin në fëmijërinë e hershme.”
Sipas dokumentit në fjalë, në Shqipëri ekzistojnë mekanizma të kufizuara për bashkërendimin dhe zbatimin e politikëbërjes ndërsektoriale për promovimin e zhvillimit gjithëpërfshirës të fëmijëve më të vegjël se gjashtë vjeç.
Shumica e masave për të vegjëlit, të pazbatuara
Ndërsa referuar raport zbatimit katërvjeçar për Agjendën Kombëtare për të Drejtat e Fëmijës, “shumica e masave, që synojnë fëmijët nën moshën tre vjeç, kanë mbetur të pazbatuara.”
“Programet që synojnë angazhimin e prindërve dhe kujdestarëve janë sporadike dhe kryesisht zhvillohen nga OJF-të. Arsimi në fëmijërinë e hershme (arsimi parashkollor) në Shqipëri është me zgjedhje dhe ofrohet nga kopshti dhe klasat përgatitore për fëmijët e moshës 3-6 vjeç. Kopshtet ndiqen nga grupmoshat 3-4 vjeç, 4-5 vjeç, dhe 5-6 vjeç, ndërsa klasat përgatitore zhvillohen në shkollat fillore dhe synojnë fëmijët pesëvjeçarë, që mund ose mund të mos e kenë ndjekur arsimin parashkollor. Universalizimi i klasave parashkollore është diskutuar për një kohë të gjatë, por ende nuk është institucionalizuar”, vëren raporti i UNICEF.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



