Çmimet e naftës në Shqipëri kanë shënuar rënie për të dytën ditë radhazi.
Sot (11 mars) një litër naftë në pikat e karburantit tregtohet 223 lekë për litër, nga 243 lekë që ishte një ditë më parë.
Edhe në bursat ndërkombëtare çmimet e naftës kanë zbritur këtë të premte në 109 dollarë për fuçi, 4 dollarë më pak nga e enjtja (113 dollarë).
Në tregun vendas, nafta u shtrenjtua në 192 lekë kur arriti mbi 90 dollarë në bursa dhe arriti në 250-260 lekë në ditën që ajo shkoi në 130 dollarë.
Shoqata e Hidrokarbureve e shpjegoi rritjen e shpejtë të naftës me faktin që “çmimet nga bazat grosiste dalin çdo ditë me bursën korente dhe marrin rritje graduale te koordinuar me rezervat që ka gjendje në pikat e karburantit me furnizimin e ri, por fatkeqesisht rritja e cmimeve në bursë javen e fundit ka qenë galopante.”
Kryeministri Rama njoftoi një ditë më parë ngritjen e bordit të administrimit të karburanteve për të kontrolluar rritjen e lartë të çmimit të naftës, duke paralajmëruar masa drastike për spekuluesit e çmimeve.
“Do përcaktojmë masa drastike për çdo furnizues që shkel vendimet e marra në një tryezë të përbashkët mes furnitorëve dhe qeverisë. Nuk do të lejojmë që në pikën e furnizimit të shfaqen çmime të pamiratuara më parë në bord dhe të ketë masa ndëshkuese”, tha Rama, ndërsa sot u takua me grosistët ne vend.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.