Teknologji dhe Inovacion

E ardhmja e grimit është buzëkuqi që mund ta printoni

Një ndër problemet që kanë femrat në mëngjes është të zgjedhin se çfarë lloj buzëkuqi do të përdorin në varësi të veshjes.

Por tashmë, të gjithë mund të bëjnë një fotografi dhe me një aplikacion në telefon, mund të zgjedhin nuancat e duhura të buzëkuqit duke provuar të gjitha me filtrat AR.

Më pas, njerëzit që kanë një printer buzëkuqi, mund të printojnë një sasi të vogël buzëkuqi.

Yves Saint Laurent Rouge Sur Mesure është hyrja më e re në botën e kozmetikës.

Në thelb, YSL Rouge Sur Mesure është një printer buzëkuqësh. Është e çuditshme sepse, si markë, Yves Saint Laurent investon në modën e lartë dhe galanë e tapetit të kuq, jo pajisje të teknologjisë.

Duket se në fakt ‘ndërhyrjen’ e ka bërë L’Oreal që zotëron markën Yves Saint Laurent Beauty pasi L’Oreal  e zhvilloi teknologjinë pas kësaj pajisjeje.

L’Oreal është një nga kompanitë më të mëdha të kozmetikës në botë, por ajo që mund të mos e dini është se ka investuar shumë në zhvillimin e gjeneratës së ardhshme të teknologjisë së bukurisë. Është krijuar një sensor UV që mund të vishet, një ngjitës që mund të zbulojë nivelet e pH të lëkurës suaj, një sistem për kujdesin e flokëve në sallon që kursen ujin, linja e kozmetikës “dixhitale” dhe në CES 2020, u demonstrua Perso, një printer i personalizuar për kujdesin e lëkurës. Kjo pajisje është teknologjia themelore që fuqizon YSL Rouge Sur Mesure. I vetmi ndryshim është se në vend të serumeve, kjo pajisje printon ngjyrën e buzëve.

Mënyra se si funksionon është ta lidhni pajisjen me smartfonin tuaj dhe më pas të futni tre fishekë buzëkuqi në bazë. Çdo grup fishekësh bie në një gamë ngjyrash – e kuqe, rozë, portokalli, nude.

Çdo gamë ngjyrash mund të gjenerojë deri në 1000 nuanca, kështu që nëse blini të katër, mund të merrni deri në 4000 nuanca.

Krijimi i nuancave të reja është kënaqësia më e madhe. Njerëzit me anë të opsionit ‘Shape Match’ mund të tregojnë një nuancë që duan dhe makineria do e krijojë atë.

Gjithashtu është edhe Shade Stylist, që krijon një përzgjedhje nuancash bazuar në atë që keni veshur.

Kjo pajisje është parë edhe si një mënyrë për të shtyrë industrinë e bukurisë për të përdorur teknologjinë si një formë personalizimi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë