Lojëra me Dore

Gjobë dhe dënim me kusht për Aleksander Zverev, mund t’i eliminojë nëse sillet mirë

Gazeta Si – I skualifikuar, por jo shumë. Pas përjashtimit nga turneu i Akapulkos, ku goditi me raketë disa herë karrigen e arbitrit, numri 3 në botë, Aleksander Zverev, ka marrë sanksione të tjera. Zëvendëspresidenti i Atp-së për rregulloren dhe kompeticionet, Miro Bratoev, ka folur për një sjellje të rëndë dhe të pahijshme të tenistit gjerman.

Por gjoba e fundit prej 23 mijë eurosh dhe pezullimi prej 8 javësh nga çdo kompeticion i organizuar nga Atp, janë për momentin të varura nga sjellja e sportistit në periudhën e provës, që përfundon më 22 shkurt 2023, një vit pas incidentit të Akapulkos. Nëse Zverev eviton për një vit “sjellje të pahijshme ose agresive, abuzime verbale ose fizike ndaj arbitrave, kundërshtarit, spektatorëve dhe ndonjë personi tjetër gjatë ose pas ndeshjeve”, sanksionet ndaj tij bien poshtë, në të kundërt do të aplikohen.

Në momentin e parë gjermani u dënua me një gjobë 35.600 euro dhe iu hoqën përfitimet nga turneu i Meksikës (28.160 euro), si dhe iu hoqën pikët e fituara në klasifikimin individual dhe në çift. Zverev, që mund të marrë pjesë në turneun “Indian Wells Masters 1000”, ka kohë deri të premten të apelojë.

Në fund të ndeshjes së humbur në çift me brazilianin Marselo Melo, kundër britanikut Lloid Glaspull dhe finlandezit Harri Heliovara, Zverev humbi qetësinë dhe goditi tri herë karrigen e arbitrit. Më pas u ul dhe u ngrit sërish për ta sulmuar dhe për të goditur karrigen me një raketë tjetër. Pasi u përjashtua nga turneu, fituesi i medaljes olimpike të Tokios kërkoi falje. Ai shkroi në Instagram se i kishte kërkuar ndjesë arbitrit për sjelljen e tij të papranueshme.

Sjellja e Zverev u dënua edhe nga kolegët Rafael Nadal, Novak Gjokoviç dhe Endi Mërrei. “Me shumë mundësi do të isha në burg tani, nëse do ta kisha bërë unë atë veprim”, – deklaroi Serena Uilliams, duke kujtuar se në 2009-ën, në “Us Open”, pagoi një gjobë prej 175.000 dollarësh dhe u skualifikua, pasi sulmoi një arbitër linje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë