Kryeministri Edi Rama ka theksuar edhe njëherë se çmimi i naftës nuk varet nga qeveria. Në një konferencë për shtyp bashkë me ministren e Energjitikës, Rama tha se ndonëse ari i zi shitet sot me çmime rekord në vend, kjo ka ardhur si ndikim nga tregu dhe se qeveria nuk mund të ndërhyjë.
Sipas Ramës, situata e luftës duhet të na përgatisë për çdo skenar dhe tha se është ngritur komiteti special.
“Dua ta theksoj shumë qartë çmimi i naftës nuk varet nga qeveria. Nuk është qeveria në tregun e lirë në një vend që e ka zgjedhur prej 32 vitesh tashmë, është tregu. Dhe natyrisht që tregu është super i ndjeshëm. Europa ka hyrë në luftë. Ushtarakisht lufta zhvillohet mes një agresori dhe një vend nën agresion, ndërsa në të gjitha aspektet e tjera lufta zhvillohet mes të gjitha vendeve që zhvillojnë agresionin”, tha Rama.
Kryeministri tha se Europa sot është në luftë dhe se për këtë rrjedhojë ata duhet të jenë të përgatitur për çdo skenar. Për këtë arsye, Rama tha se kanë ngritur edhe komitetin special, të posaçëm për përballimin e pasojave të luftës në Ukrainë.
“Krijojmë një komunitet të posaçëm ndërministror për përballimin e pasojave të luftës. Nuk jemi në kushtet e një kërcënimi ushtarak, por si të gjitha vendet e tjera në kushtet e kërcënimit të përditshëm ekonomik, si rezultat e daljes krejtësisht nga binarët e normalitetit. Ndërkohë kërcënimi i thellimit të krizës energjetike vjen vetëm duke u rritur”, tha Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.