Gazeta Si – Jerez de la Frontera kërkon Çmimin e Madh të Rusisë në Formulën 1, i programuar për fundjavën e 23-25 shtatorit në Soçi. Më 3 mars, pas pushtimit rus në Ukrainë, FIA ndërpreu kontratën me organizatorët e garës, duke përjashtuar mundësinë e zhvillimit të saj në Soçi ose në Shën Pjetërburg.
Që atëherë po kërkohet një alternativë dhe sot në Spanjë kanë bërë me dije se kanë shpresa ta organizojnë këtë garë. Zëvendëspresidenti i rajonit andaluzian, Juan Marin, ka thënë se pritet një përgjigje nga FIA për kandidaturën e Jerezit:

“Nuk është ndonjë e re e madhe. E gjithë bota e di që duam të organizojmë një garë. Një vit e gjysmë më parë shkuam në Londër dhe biseduam, atëherë organizatorët na thanë se, nëse do të kishte ndonjë anulim, rajoni ynë do të ishte zgjedhja e parë për ta zëvendësuar”. Marin tha edhe nëntorin e kaluar se Jerez është në vendin e parë të rezervave.
Tani që është pezulluar Çmimi i Madh i Rusisë, në Jerez ëndërrojnë, edhe pse ditët e fundit u duk sikur kishte fituar terren kandidatura e Sepang, në Malejzi. Në nivel logjistik, gara e Rusisë ishte programuar mes Moncës (11 shtator) dhe Singaporit (2 tetor), kështu që mund të jenë të vlefshme si opsionet europiane, ashtu edhe ato aziatike. Në pritje të vendimit të FIA-s, në Jerez shpresojnë që motorëve t’u shtojnë edhe makinat.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




