Ana e errët

Rreh me një degë rrushi mikun e dënuar me shërbim prove: I çoja për të ngrënë, por më vidhte

Gazeta Si – Një i dënuar me shërbim prove, u ndihmua nga shoku i tij, sepse ai jeton vetëm në banesë dhe meqë e kishte të ndaluar që të dilte jashtë shtëpisë, dorën ia shtriu miku i fëmijërisë e po ashtu edhe fqinji.

Por gjithë kjo paqe mes tyre, ka zgjatur vetëm pak javë. Në fund, të dy burrat janë rrahur dhe secili ka një version në të cilin ia hedh fajin palës tjetër. Policia e Komisariatit numër 4, i thotë Gazetasi.al, se u përfshi në zgjidhjen e konfliktit pas telefonatës së 47-vjeçarit me iniciale I.V.

Ky shtetas jeton vetëm, thotë jo zyrtarisht policia dhe është dënuar me “arrest në shtëpi” derisa të mbyllen procedurat gjyqësore. Por shtetasi në fjalë, bëhet me dije se është i divorcuar, nuk ka fëmijë dhe prindërit i ka emigrantë në Itali. Megjithatë, ai e ka marrë shumë seriozisht ligjin dhe i është bindur vendimit gjyqësor, duke u izoluar tërësisht në shtëpinë e tij në kryeqytet.

Por për nevojat e përditshme, si blerjet e vogla dhe kafenë, ka treguar gatishmërinë e tij miku i fëmijërisë. Ai e furnizonte me ushqime, bukë dhe çdo gjë që kërkonte i dënuari deri ditën kur në mënyrë të çuditshme, 47-vjeçari tregon se fqinji hyri në shtëpi, e gjeti të shtrirë dhe nisi ta rrahë me një degë rrushi.

Çështja, sipas komisariatit numër 4 në kryeqytet, vijon të jetë nën shqyrtim policor dhe deri më tani janë administruar dëshmitë. Kallëzuesi i parë, tregon se nuk reagoi, pasi kishte frikë, sepse është i dënuar dhe gjykata e kishte cilësuar në vendim se nuk duhet të kryejë asnjë vepër tjetër penale.

“T.G., hyri në banesë, pasi i kisha dhënë çelësat, pa thënë asnjë fjalë dhe pa thënë asgjë fare, më mori me shkelma dhe me grushte. Kishte në dorë një  degë rrushi”, – nënvizon i dëmtuari.

Denoncuesi shton se e pyeti mikun e fëmijërisë që e kishte ndihmuar: “Çfarë ke që më qëllon, jam në shtëpinë time”. Policia i thotë Gazetasi.al, se pyeti të dënuarin përse ka ndodhur ky konflikt dhe për çfarë dyshonte ai?

“Me siguri, miku i fëmijërisë u nxeh ngaqë telefonova prindërit e mi të moshuar dhe iu kërkova të kthehen, pasi isha vetëm dhe dikush duhet t’më ndihmonte nga familja”.

Qytetari është i bindur, se pasi ia ka komunikuar këtë vendim mikut të fëmijërisë, me siguri ai është mërzitur, sepse është ndjerë i përdorur dhe i shfrytëzuar, përmend burri.

Por se përse vizitat mes dy miqve do të ndërpriteshin menjëherë sapo burrit të divorcuar t’i ktheheshin prindërit, kjo nuk sqarohet nga policia e komisariatit numër 4.

Policia bën me dije për Gazetasi.al, se ka marrë në pyetje edhe mikun zemër mirë. Ai këmbëngul për një version tjetër.

“E ndihmova, i çoja për të ngrënë, i blija i gatuaja. Por vërejta se ai po më vidhte ushqimet kur bëja pazar për të dhe për familjen time. Dhe kupa u mbush atë ditë, pasi bëja sikur nuk kuptoja, por prapë më kishte vjedhur dhe e kapa që qeset e mia u pakësuan”, – deklaron I dyshuari.

Policia i thotë Gazetasi.al, se pasi të kryejë ekspertimin mjeko-ligjor, do përcaktojë nëse çështja është në kufijtë e plagosjes së lehtë apo thjesht një rrahje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë