Gazeta Si – Maks Vershtapen e ka rinovuar kontratën me Red Bull-in edhe për të paktën 4 sezone pas 2023-shit, vitit të skadencës së akordit të mëparshëm. E përditshmja holandeze “De Telegraaf” e bën fakt të kryer dhe saktëson se bëhet fjalë për një super rinovim, që do t’i mundësojë 24-vjeçarit kampion bote rreth 40 milionë dollarë në vit, ose 36 milionë euro.
Janë shifra faraonike, që aktualisht në Formulën 1 vetëm Ljuis Hemilton mund t’ia lejojë vetes. Nga skuderia Red Bull ka ardhur edhe zyrtarizimi i rinovimit deri në vitin 2028.

Drejtori i ‘Red Bull Motorsport’, Helmut Marko, ka pohuar muajin e kaluar se skuderia ishte në tratativa me Vershtapenin për rinovimin. Në fund të vitit të kaluar, pasi fitoi titullin kampion në Abu Dhabi, piloti holandez kishte deklaruar se dëshironte të qëndronte te Red Bull-i edhe për shumë vite.
“Jam shumë, shumë i lumtur këtu ku jam, kjo është e sigurt. E adhuroj vërtet të jem pjesë e kësaj skuadre. Nuk ka asnjë arsye të largohem dhe dua të vazhdoj të garoj edhe për shumë kohë këtu”, – u shpreh Vershtapen në atë kohë.
MV1 🤝 2028 💪 The World Champion is staying right here 🦁 @Max33Verstappen 🇳🇱 #GivesYouWings
— Oracle Red Bull Racing (@redbullracing) March 3, 2022
Në anën tjetër, drejtuesi kryesor i Red Bull-it, Kristian Horner, e çmon shumë holandezin: “Me Maksin kemi një akord afatgjatë. Bëhet fjalë për lidhje të forta dhe ai është një pjesë mjaft e çmuar e skuadrës. E kemi parë të rritet shumë. Kemi besim dhe dinamika funksionon mes të dyja palëve. Ai ka besim të madh te personat që e rrethojnë dhe ne kemi shumë besim tek ai”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




