Art dhe Kulture

Artistët rusë tërhiqen nga Bienalja e Venecias

Edicioni i 59-të i Bienales së Artit të Venecias nuk do të ketë pjesëmarrjen e Rusisë, për shkak të tërheqjes së artistëve Alexandra Sukhareva dhe Kiril Savchenkov së bashku me kuratorin Raimundas Malaauskas, për shkak të sulmit ushtarak të Moskës në Ukrainë.

Artistja ruse ia beson mendimet e saj një postimi në Instagram: “Nuk ka vend për art kur civilët vdesin nga raketat, – ka shkruar ajo, – kur qytetarët e Ukrainës fshihen në strehimore dhe kur ata që protestojnë në Rusi heshtin”. Përkundrazi, Ukraina konfirmoi pjesëmarrjen.

Bienalja duke shprehur “solidaritetin e plotë për këtë akt të guximshëm dhe fisnik”, ndan arsyet që çuan në këtë zgjedhje, e cila përshkruan në mënyrë dramatike tragjedinë në të cilën ndodhet e gjithë popullsia e Ukrainës. “Bienalja mbetet vendi i takimit midis popujve përmes artit dhe kulturës – theksojnë organizatorët, – dhe dënon ata që pengojnë me dhunë dialogun në shenjën e paqes”.

Bienalja e Venecias, ngjarja më e madhe e artit bashkëkohor në botë

Këtë akt kurajoje të artistëve rusë e ka vlerësuar edhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti.

“Një akt kurajoje ai i artistëve rusë, që në shenjë proteste ndaj politikave të Putinit dhe solidariteti ndaj Ukrainës, u tërhoqën nga Bienalja Ndërkombëtare e Artit në Venecia”, u shpreh ministrja Margariti në një reagim.

“Me këtë akt ata i bashkohen protestës të shumë artistëve nga e gjithë bota, që dënojnë cenimin e kufijve dhe pavarësisë të Ukrainës, por edhe paqen në Europë”, shkruan ndër të tjera ministrja Margariti.

Kanë qenë të shumtë qytetarët dhe artistët rusë që nuk kanë qenë dakord me vendimin e Presidentit Vladimir Putin për të sulmuar Ukrainën, teksa disa prej tyre edhe kanë dalë për të protestuar.

Nga radhët e artistëve ka pasur edhe dorëheqje. Ishte drejtoresha e Qendrës Teatrore “Vsevolod Meyerhold” pranë Teatrit shtetëror rus në Moskë, Elena Kovalskaya, e cila me anë të një postimi në rrjetet sociale njoftoi dorëheqjen nga posti që mbante.

Ajo u shpreh se nuk mund të punonte për një vrasës dhe të merrte rrogë prej tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë