Menaxhim

Anija nga Rusia mbërriti në Durrës, ngarkesa e ‘fundit’ me grurë

Një anije me grurë që ishte nisur para 13 ditësh mbërriti dje (28 shkurt) në orët e para të mëngjesit në Portin e Durrësit. Anija “Slavianka” solli në Shqipëri një sasi gruri e cila është sa një për qind e importit të vitit të kaluar.

Sipas të dhënave të INSTAT, gjatë 2021-shit 46% e totalit të drithërave të importuara erdhën nga Rusia ndërsa 4% erdhën nga Ukraina.

Nga burimet zyrtare të Portit të Durrësit mësohet se në bordin e anijes ndodhen 3030 tonë grurë rifuxho, të cilat janë në proces shkarkimi.

Por tashmë kanalet tregtare të Rusisë dhe Ukrainës janë bllokuar dhe nuk mund të presim më ngarkesa nga këto vende.

Lufta do të ketë ndikim në prodhimin e ardhshëm, pasi gruri është në fazat e para të rritjes dhe korrjet e reja janë në korrik.

Gëzim Peshkëpia, nga “Shoqata e Prodhuesve të Bukës dhe Brumrave” tha për Gazetasi.al se vitin e shkuar ne kemi importuar rreth 326 mijë tonë drithëra ku gati gjysma e tyre ishin nga Rusia. Rritja e çmimeve të miellit dhe e importeve të reja do të jetë e pashmangshme.

Ndërkohë, procesi i mbjelljeve të pranverës në Ukrainë pritet të fillojë së shpejti dhe shumë pasiguri mbeten për kapacitetin e prodhimit të vitit 2022. Kërkesa e tregtarëve për të blerë grurin Rus sipas Reuters ka qenë thuajse zero pas datës 24 shkurt.

Pas forcimit të sanksioneve çmimi i grurit në bursa u rrit me 6.4%.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë