Gazeta Si – Novak Gjokoviç është eliminuar në çerekfinalet e turneut ‘Atp 500’ në Dubai. Tenisti serb, me rikthimin në kompeticionet sezonale pas kaosit të ‘Australian Open’, është mundur nga çeku Jiri Veseli, numri 123 ATP, pas dy setesh, me rezultatin 6-4, 7-6.
Me këtë humbje Gjokoviç zbret nga froni i numrit 1 të renditjes botërore, ku tashmë ngjitet rusi Danil Medvedev. Cilido që të jetë rrugëtimi i tij në turneun e Akapulkos, rusi nga e hëna do të bëhet numri 1 i 27-të në historinë e tenisit.

Gjokoviç bie pas 86 javësh radhazi, që në total e çojnë numrin në 361, një rekord në historinë e tenisit. Medvedev është rusi i tretë që bëhet numri 1 në botë, pas Jevgeni Kafelnikov (1999) dhe Marat Safin (2000-01).
Medvedev do të jetë i pari numër 1 ATP ndryshe nga ‘Fab Four’ (Gjokoviç, Roxher Federer, Endi Mërrei dhe Rafael Nadal) që nga koha e Endi Rodik. Amerikani i mbylli 13 javët e tij në majë të klasifikimit ATP më 1 shkurt 2004. Më pas nisi mbretërimi i Federerit, që qëndroi numri 1 për 237 javë pa ndërprerje, deri më 17 gusht 2008.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



