Lojëra me Dore

Medvedev 3 ndeshje larg numrit 1 në botë, por mund të përballet me Rafael Nadal

Gazeta Si – Tenisti rus i la vetëm tre gejme kundërshtarit në ndeshjen e fundit në turneun e Akapulkos. Ai synon të ngjitet në fronin e Novak Gjokoviçit, por në gjysmëfinale mund të përballet me spanjollin Rafael Nadal.

Danil Medvedev vazhdon vrapin drejt majës së renditjes botërore në tenis. Ai mundi me lehtësi 6-1 dhe 6-2 spanjollin Pablo Andujar dhe tashmë i kanë mbetur edhe tri ndeshje për t’u bërë numri 1 i 27-të në historinë e tenistit të meshkujve.

Për një orë e 3 minuta, Medvedev mbylli ndeshjen që e kishte gjithë kohën nën kontroll. “Klima, – tha tenisti rus pas ndeshjes, – është e veçantë, kushtet janë të vështira edhe pse luajmë në mbrëmje. Është gjithmonë nxehtë dhe ka lagështi, kështu që duhet të kesh shumë energji për të përballuar ndeshjet”.

Rafael Nadal. Gazeta Si, 24 shkurt 2022

Ka kaluar edhe Rafael Nadal, i cili i la vetëm 3 gejme (6-0, 6-3) Stefan Kozlovit, që ia kishte të dalë të fitonte një ndeshje të çmendur ndaj Grigor Dimitrov, edhe pse pati kontraktime. Fitorja e Nadalit tregon formën shumë të mirë të spanjollit, ende i pamposhtur që nga fillimi i vitit, me 12 fitore në 12 ndeshje. Ky është fillimi i sezonit më i mirë për Rafan, pas 11 fitoreve radhazi të 2014-ës.

“Ishte një ndeshje e çuditshme, – u shpreh Nadal, – sepse Kozlov është një lojtar i veçantë. Ai është inteligjent dhe nëse fillon të futesh në ritmin e tij, je në telashe. Ka shumë rëndësi të fitosh sa më shpejt të jetë e mundur, megjithatë ajo që vlen është kalimi i turit. Fitova në dy sete dhe ky është një lajm i mirë”. Tani spanjolli do ndeshet me amerikanin Tomi Paul, i cili mundi 7-6, 2-6 dhe 7-5 serbin Dushan Lajoviç.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë