Shendet

Individët me autizëm ose ADHD janë më të rrezikuar nga vdekshmëria e hershme

Individët me autizëm ose ADHD (çrregullimi hiperaktiv i mungesës së vëmendjes) mund të jenë më të rrezikuar nga vdekja e hershme sipas një studimi të fundit.
Disa studime të mëparshme kanë treguar se këto çrregullime neuro-zhvillimore mund të lidhen me një rrezik më të lartë të vdekjes së parakohshme, por gjetjet ishin të paqëndrueshme .Por sipas një rishikimi të të dhënave nga shumë studime të mëparshme, të botuar të hënën në revistën “JAMA Pediatrics” rezulton se gjetjet janë të mundura.
Studimi ekzaminoi 27 studime që u bazuan në Amerikën e Veriut dhe Evropë dhe u botuan midis viteve 1988 dhe 2021, duke arritur në më shumë se 642,000 pjesëmarrës.
“Hulumtimi i ri zbuloi se vdekshmëria e hershme ishte zakonisht vdekja në fëmijëri- nga shkaqe natyrore dhe të panatyrshme kishte dy herë më shumë gjasa për njerëzit me autizëm dhe ata me ADHD sesa për popullata e përgjithshme”, tha autori kryesor i rishikimit Ferrán Catalá-López.
Sipas tyre shkaqet natyrore ishin problemet kardiake dhe shkaqet e panatyrshme ishin vetëvrasja dhe vrasja. Në mesin e atyre me ADHD, numri i vdekjeve të parakohshme nga shkaqe të panatyrshme (847) ishte më i lartë se sa pritej, ndërsa njerëzit me autizëm ishin më të rrezikuar nga vdekjet nga shkaqet natyrore, sipas studimit.
Por Catalá-López, një shkencëtar në Shkollën Kombëtare të Shëndetit Publik në Institutin e Shëndetit Carlos III në Madrid – tha se gjetjet nuk duhet të shihen si një “dënim me vdekje”.

“Rezultatet e studimit tonë nuk duhet të interpretohen se të kesh ndonjë nga këto çrregullime do të thotë që njerëzit që vuajnë prej tyre domosdoshmërish do të vdesin para kohe për shkak të arsyeve të sipërpërmendura”,tha Lopez.
Autorët e studimit nuk kishin detaje mbi stilin e jetës së pjesëmarrësve, faktorët socio-ekonomikë apo shkaqet specifike të vdekjes. Por sipas autorëve hulumtime të mëparshme kanë nxjerrë në pah disa faktorë që mund të shpjegojnë shkallën më të lartë të vdekjeve të hershme midis fëmijëve dhe të rinjve me autizëm ose ADHD.
Rreth 1% e njerëzve në mbarë botën kanë autizëm, ndërsa afërsisht 5% e njerëzve kanë ADHD, sipas sondazheve të Shoqatës së Autizmit dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Disa nga faktorët janë se njerëzit me ADHD ose autizëm kanë gjithashtu rrezik më të lartë për çrregullime mendore dhe gjendje neurologjike që bashkëjetojnë, si depresioni, ankthi, keqpërdorimi ose abuzimi i substancave, çrregullimet e të ngrënit, epilepsia ose çrregullimet e sjelljes dhe këto e rëndojnë gjendjen e tyre.
Ekspertët shkruan se trajtimi i çështjes së vdekshmërisë së parakohshme tek njerëzit me ADHD dhe autizëm është sfidues dhe fillon me ofruesit e kujdesit shëndetësor.
“Klinikët dhe profesionistët e kujdesit shëndetësor mund të inkurajohen që të mbledhin në mënyrë rutinore informacion mbi sjelljen, kushtet mjekësore dhe rezultatet shëndetësore që lidhen me ASD (çrregullim i spektrit të autizmit)/ADHD, duke theksuar nevojën për të njohur dhe adresuar faktorët e cenueshmërisë dhe për të parandaluar vonesat në ofrimin e kujdesit shëndetësor”, shkruan autorët.
Burimi: CNN/ Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë