Skuderia angleze e Formulës 1 ka prezantuar makinën e sezonit të ri dhe mungesa e simbolit në modelet që nga 1995-a e deri në 2021-shin, në kujtim të kampionit brazilian, ka ngritur diskutime. Drejtuesit janë shprehur se shohin drejt së ardhmes.
Një e ardhme me polemika. Në makinë e re “FW44” të apasionuarit e Fomrulës 1 kanë dalluar menjëherë një mungesë të rëndësishme, logon e dedikuar Airton Senës. Piloti brazilian garonte për skuderinë e Sir Frenk Uilliams në 1994-ën, por nuk pati mundësi të tregonte vlerat, pasi humbi jetën në Imola, në Çmimin e Madh të San Marinos, pasi përplasjes së fortë në kthesën Tamburelo.

Pas tragjedisë, skuderia vendosi që t’i bënte homazh Senës me një logo të vendsur gjithmonë në makinat e saj. Në këtë logo shkruhej “Airton Sena përgjithmonë” dhe ajo shfaqej në pjesën e parme të makinës. Por këtë vit Uilliams vendosi të bëjë një ndryshim, që është kontestuar nga fansat.
Pas polemikave në rrjetet sociale, administratori i skuderisë Uilliams, Zhost Kapito, ka thënë: “Duam të ecim përpara në të ardhmen. Po hyjmë në një erë të re dhe mendoj se tani është e rëndësishme të shohim përpara dhe të mos u tregojmë pilotëve ‘S’-në sa herë që hipin në makinë për të kujtuar të kaluarën. Shohim përpara, pa harruar Senën, për të cilin kemi një muze dhe vlerësimi nuk mungon”.

Polemikat janë shtuar edhe nga mungesa e komunikimit me familjen Sena. “Jemi duke punuar me fondacionin dhe do t’i shtojmë të ardhurat për të, shumë njerëz do të përfitojnë”, – ka shtuar Kapito. Një prezantim pak i vështirë ky për makinën e re Uilliams.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




