Drejtësia

I akuzuar për korrupsion, GJKKO rikthen në detyrë mjekun Edvin Prifti

Gazeta Si – Gjykata e Posaçme ka vendosur t’i shuajë mjekut kardiolog Edvin Prifti masën ‘pezullim nga detyra’, duke i hapur rrugë rikthimit të tij në profesion.

Kërkesa e mjekut u bë pasi ka kaluar afati 1-vjeçar që nga koha kur ai është marrë nën hetim nga ana e SPAK-ut.

Mjeku Edvin Prifti u vu nën akuzë nga SPAK për ‘korrupsion’ dhe ‘pastrim parash’, ndërkohë që hetimet ndaj tij vijojnë.

LEXO EDHE:
– Korrupsioni, SPAK i sekuestron mbi 51 mln lekë dhe 177 mijë euro mjekut Edvin Prifti
– Nën hetim për korrupsion, por mjeku Edvin Prifti do japë mësim në UT

Prifti është nën hetim prej një viti për korrupsion dhe pastrim parash, pasi ra në ‘rrjetën’ e përgjimeve, teksa prokuroria hetonte rastet e korrupsionit në Gjykatën e Krujës, operacion gjatë të cilit u vu në pranga gjyqtarja Enkelejda Hoxha.

Gjatë një bisede telefonike, sekretarja e këtij institucioni, Emanuela Mallkuçi, fliste për ryshfet për operacionin e nënës së saj dhe për para që do t’i jepte Priftit. Për këtë arsye, mjeku u pezullua fillimisht nga detyra dhe më pas u vu në pranga.

Gjetja e më shumë se gjysmë milioni euro në shtëpinë dhe zyrën e tij, këqyrja e telefonit dhe e “laptop”-it, i bëri prokurorët e SPAK-ut që të zgjeronin hetimet dhe të ngrinin dyshimet për përfshirjen e mjekut në të tjera veprimtari të dyshimta.

Prifti u arrestua më 15 shkurt në sallën e gjyqit, pasi fillimisht kishte një masë pezullim nga detyra, por në banesë dhe çantën e shpinës iu gjetën qindra mijëra euro. Ai u lirua nga burgu në muajin mars 2021 me vendim të Gjykatës së Posaçme të Apelit.

Mjeku i ka mohuar të gjitha akuzat e prokurorisë, duke deklaruar se të ardhurat financiare i ka fituar nga puna e tij dhe çmimet që ka marrë si shpërblim jashtë Shqipërisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë