Motosport

Ndryshon Formula 1/ Pikë për 8 të parët në garën Sprint, ‘pole’ vendoset të premten

Gazeta Si – Komisioni i Formulës 1 ka komunikuar ndryshimin e formatit që u eksperimentua në vitin 2021: kualifikueset Sprint do ta quhen vetëm Sprint, do të zhvillohen në Imola, Zeltveg dhe San Paolo, dhe nuk do të përcaktojnë ‘pole position’, që vendoset në kualifikueset e së premtes.

Në garën Sprint të së shtunës do të fitojnë pikë 8 pilotët e parë dhe jo më vetëm 3 të parët, por renditja e makinave për garën zyrtare do të përcaktohet gjatë kualifikueseve të ditës së premte. Këto janë të rejat kryesore në ndryshimet e bëra nga ‘F1 Commission’ në formatin e studiuar për t’i bërë më interesante fundjavat e garave. Në vitin 2021 u eksperimentua në Silverston, Monca dhe San Paolo.

Nga gara Sprint e zhvilluar në Monca sezonin e kaluar. Gazeta Si, 15 shkurt 2022

Komisioni aprovoi me unanimitet tre eventet Sprint për sezonin e ri, që do të jenë Çmimi i Madh i Emilia Romanjas në Itali, Çmimi i Madh i Austrisë dhe Çmimi i Madh i Brazilit. Modifikimet e formatit parashikojnë ndryshimin e emrit zyrtar nga ‘Sprint Qualifying’ në ‘Sprint’, ndërsa pikë do të fitojnë 8 pilotët e parë sipas këtij sistemi:
1° – 8 pikë
2° – 7 pikë
3° – 6 pikë
4° – 5 pikë
5° – 4 pikë
6° – 3 pikë
7° – 2 pikë
8° – 1 pikë

I pari në garën e së dielës do të niset piloti më i shpejtë në kualifikueset e ditës së premte. Për të evituar situata si ajo e garës së Belgjikës sezonin e kaluar, që nuk u zhvillua për shkak të kohës së keqe, komisioni ka bërë modifikime: asnjë pikë nuk do të jepet, nëse nuk janë bërë të paktën dy xhiro si lider pa ndërhyrjen e ‘Safety Car’. Nëse lideri ka bërë dy xhiro, por më pak se 25% të distancës së garës, 5 të parët do të marrin pikë sipas këtij sistemi:

1° – 6 pikë
2° – 4 pikë
3° – 3 pikë
4° – 2 pikë
5° – 1 pikë

Sistem tjetër pikësh ka për rastet kur lideri bën më pak se 50% të distancës së garës, si dhe më pak se 75%.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë