Motosport

Prezantohet edhe McLaren i ri, Braun: Rregullat e reja, një mundësi e mirë

Gazeta Si – Quhet ‘MCL36’ makina e re e McLaren për Botërorin e 2022 të Formulës 1, me të cilën do të garojnë pilotët Lando Norris dhe Daniel Riçardo. Skuderia nga Uoking ka bërë tashmë prezantimin zyrtar. Sezonin e fundit McLaren e mbylli në vend të 4-t për kontsruktorët, ndërsa tani synon një tjetër kampionat si protagoniste. Gjatë 2021-shit McLaren fitoi garën e Monzës, një sukses që mungonte prej atij të Brazilit 2012.

Makina e re McLaren. Gazeta Si, 12 shkurt 2022

Në spektaklin e prezantimit në rrjetet sociale, McLaren prezantoi ‘MCL36’, por edhe dy makinat që do të garojnë në IndyCar dhe në kampionatin e Suv-ve elektrikë ‘Extreme E’. Mjaft optimist u duk administratori Zak Braun, i cili u shpreh:

“Është e mahnitshme të lançojmë këtë sfidë globale në motorsport. Skuadra jonë e F.1, nën udhëheqjen e Andreas Seidl, po bën progres nga sezoni në sezon dhe ndryshimi i rregullores teknike është një mundësi shumë e mirë. Lando Norris është rritur shumë, duke u ngjitur 4 herë në pod në 2021-shin, kurse Daniel Riçardo na dha fitoren në Monza. Në 2022-shin duam ta shkurtojmë edhe më shumë diferencën me të parët”.

Zak Braun, CEO i McLaren. Gazeta Si, 12 shkurt 2022

Norris sapo ka rinovuar kontratën me McLaren, po Riçardo? “Jam i kënaqur për të, – ka thënë Daniel Riçardo. – McLaren ka bërë gjënë e duhur, ai është i shtëpisë këtu dhe mund të japë maksimumin. Unë kam edhe disa vjet dhe jam i lumtur, por nuk aspiroj për një rinovim prej 5 vitesh, sepse jam 10 vjet më i madh se ai. A do të isha i kënaqur, nëse në 2022-shin arrij sërish një fitore? Nëse fitoj 1 garë dhe gaboj në 22 të tjera, nuk mund të jem i kënaqur. Duhet vazhdimësi në nivel të lartë”.

Ka folur në prezantim edhe piloti tjetër i McLaren, Lando Norris: “Ndihem si në shtëpinë time, shumë komod, ndaj dhe bisedimet për rinovimin ishin shumë të lirshme. Fitoj më shumë dhe do kem më shumë presion? Jam edhe unë që kam pritshmëri nga vetja. E di që të gjithë presin më shumë nga unë pas rinovimit. Objektivi? Nuk e di çfarë kanë bërë të tjerët, por nëse zëmë vendin e 3-të apo të 4-t, duhet të jemi të kënaqur”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë