Arsim

Kushi: 50% rimbursim të biletës për nxënësit që janë 2 kilometra larg shkollës

Në një deklaratë për mediet, Ministrja e Arsimit Rinisë dhe Sportit, Evis Kushi, tha se Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për rritjen me 50% të rimbursimit të transportit të nxënësve, të cilët banojnë mbi 2 kilometra larg shkollës. Gjithashtu përfitues të shërbimit të transportit nuk do të jenë vetëm mësuesit, por edhe punonjësit e shërbimit psiko-social dhe oficerët e sigurisë që punojnë 5 deri në 50 kilometra larg vendbanimit të tyre.

Më herët ministrja Kushi ka thënë se nga ky vendim do të përfitojnë rreth 35 mijë nxënës të cilët mësojnë larg vendbanimit të tyre. “Me një fond prej 950 milionë lekësh do të sigurojmë mbulimin e shpenzimeve të transportit, si dhe transportin për 12 mijë mësues që punojnë 5 km larg nga vendbanimi”, ka deklaruar Kushi.

Sipas Kushit kjo VKM do të minimizojë problemet që lidhen me transportin e nxënësve dhe punonjësve të sistemit arsimor para universitar sepse për shkak të vlerës së ulët të biletës, operatorët e shërbimit të transportit hasnin vështirësi në sigurimin e transportit.

Gjatë fjalës së saj Ministrja shpjegoi se nga ky vendim pritet që të reduktohet edhe numri klasave kolektive.
“Deri tani dërgimi i tyre drejt shkollave qendër, ku mësohet në kushte më të mira dhe me mësues profili, ka qenë i vështirë për shkak të problemeve të transportit”, shton Ministrja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë