Ka ndodhur

Tension te ‘5 Maji’, policia largon me forcë banorët për shembjen e banesave (Foto-Video)

Gazeta Si - Që në orët e para të mëngjesit, policia ka rrethuar zonën e “5 Majit” në Tiranë, pasi i ka hapur rrugë fadromave të IMT-së, për shembjen e shtëpive që preken nga projekti zhvillimor i rindërtimit. Por banorët e lagjes në njësinë numër 4 në kryeqytet, e kanë kaluar natën jashtë për të mbrojtur banesat e tyre dhe parandaluar makineritë e rënda, por pa ia arritur qëllimit.

Skena prekëse ishin ato që u panë nga shembja e shtëpive këtë të mërkurë, pasi banorët në përpjekje për të mbrojtur shtëpitë nga fadromat IMT-së, u ngjitën nëpër avllitë e shtëpive apo në dritaret e banesave.

Por kjo nuk mjaftoi, pasi përballë dhjetëra forcave të policisë të cilët shkelmuan dyert, atq ishin të pafuqishëm dhe u nxorën me forcë nga shtëpitë e tyre, për të cilat thonë se i kanë ndërtuar që para 30 vitesh.

Forcat e Inspektoratit të Territorit dhe forcat e policisë "Shqiponja", kanë ndërhyrë me forcë në një familje, shtëpia e të cilëve ishte vendosur për t'u shembur këtë të mërkurë.

Ata shprehen se nuk janë dakord me marrëveshjen e ofruar nga bashkia për banesat që po shemben në kuadër të projektit të rindërtimit, duke kërkuar një kontratë të detajuar ligjore.

Shumë banorë kanë bërë rezistencë, pasi refuzojnë të dalin nga pronat e tyre. Policia rrethoi zonën që prej orëve të para të mëngjesit, teksa disa banesa janë shembur nga fadromat.

Me dhjetëra familje preken nga projekti i ri i rindërtimit, por edhe i Unazës së Madhe, me banorët që kërkojnë transparencë.

Protestës së tyre i janë bashkuar edhe banorë nga zona të tjera të Tiranës, si nga Kombinati, Paskuqani, dhe Lapraka, të cilët preken nga projekti i rindërtimit. Në protestën e fundit para kryeministrisë, ata paralajmëruan përshkallëzim dhe madje grevë urie. Njëri prej banorëve te '5 Maji', është ndjerë keq dhe i ka rënë të fikët. Menjëherë ka mbërritur ambulanca, e cila i ka dhënë ndihmën e parë.

Një grua të cilës iu prish shtëpia, ka kërkuar e dëshpëruar të drejtën, duke iu drejtuar mediave. “Janë vrasës nuk janë shtet. Po luftojmë për të drejtat tona, sot u prish shtëpia ime, këto janë armiqtë nuk janë shqiptarë. Ku janë pushtetarët se jam duke vdekur. Janë vrasës…që vrasin popullin, vrasin fëmijët, njerëzit. Nuk e vret kush mafien. Këtu s’ka pas shtet këtu e 500 vjet. Do pirshin shtëpinë time për të bërë kullën 500 kate. Këtu të vrasin mafiozët që të vrasin ditën e të qajnë natën. Kam 40 vjet këtu, s’kam hedh as firmë”, - u shpreh ajo.

Autoritetet kanë deklaruar se këtë program zhvillimi po e kundërshton një pakicë banorësh, ndërsa pjesa dërrmuese e tyre kanë nënshkruar marrëveshjet me pushtetin vendor. Plani parashikon shembjen e banesave të parregullta dhe ndërtimin e pallateve shumëkatëshe.

Pas vendimit të qeverisë në fund të shtatorit për rindërtimin dhe shpronësimin për interes publik, Bashkia e Tiranës ka nisur njoftimet në mes të tetorit, duke ofruar pagesa qiraje dhe një akt-marrëveshje me banorët për të përfituar nga programet e rindërtimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë