Botërori i Formulës 1 2022 po afron, me disa prezantime skuadrash që e kanë zyrtarizuar datën e testeve të para para sezonit. Pritja rritet dhe klima nxehet, mbi të gjitha duke kujtuar finalen kontroverse të sezonit 2021, në Abu Dhabi, me fitoren e Maks Vershtapenit dhe Red Bull-it në xhiron e fundit ndaj Mercedesit të Ljuis Hemiltonit.
Pikërisht ajo xhiro e fundit e pabesueshme kthehet në mendimet e kampionit Maks: “Në atë moment isha i acaruar, kisha kontraktime dhe spazma muskulore – thotë Vershtapen për “Guardian”. – Thosha gjëra të tipit: ‘duhet ta parakaloj. Ka vetëm një opsion. Nuk duhet të dal i dyti’. Po shkonte gjithçka mirë deri në momentin që ndjeva kontraktimet dhe është një nga gjërat më të dhimbshme që ndodhin kur ecën me shpejtësi maksimale.

Ndjen muskulin që bëhet si një top tenisi, këmba më dhimbte, por për fat erdhi kthesa vendimtare dhe shkova drejt për ta parakaluar. Ishin dy segmente shumë të gjata dhe në të dytin, kur Ljuis u afrua, ndjeva këmbën që më dridhej. Kisha spazma dhe nuk arrija ta kontrolloja”.
Për çështjen e titullit, gjithsesi Vershtapen nuk ka asnjë dyshim: “Titulli im i dyshimtë? Aspak, e kam merituar plotësisht. Me Hemiltonin nuk kemi komunikuar gjatë pushimit, shihemi mjaft gjatë gjatë garave. Nuk i kujtoj ekzaktësisht fjalët që më tha në fund të garës, por ishte shumë i sjellshëm dhe sportiv kur më uroi”.
Frustrimi i Ljuis Hemiltonit pas humbjes djegëse? Vershtapen nuk e imagjinon se do të ishte sjhellëm nëse do të isnte në vend të anglezit: “Vështirë ta imagjionoj si do reagoja në atë situatë, unë nuk jam një pilot 7 herë kampion bote. Besoj se ta humbësh titullin në xhiron e fundit të një gare që e ke kontrolluar nga fillimi, është një zhgënjim i madh. Për një pilot që nuk ka fituar asnjë titull është e rëndë, kurse për atë që ka 7 tituj është më pak e dhimbshme.”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




