Intesa Sanpaolo Bank Albania ka njoftuar se procesi i Bashkimit me Përthithje të Veneto Banka është finalizuar nga pikëpamja ligjore dhe operacionale. Në vijim, duke nisur nga 1 Tetori 2018, Veneto Banka sha është fshirë nga Regjistri Tregtar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, ndërsa Intesa Sanpaolo Bank Albania Sha ka mbartur të gjitha asetet, të drejtat e detyrimet, si dhe marrëdhëniet me klientët, të cilët shërbehen tashmë nga një rrjet i njëjtësuar degësh bankare dhe sistemi operimi.
Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Intesa Sanpaolo Bank Albania, Z. Silvio Pedrazzi ka deklaruar se ky bashkim ka përfunduar në mënyrë të suksesshme dhe klientët tani mund të përfitojnë një gamë të gjerë produktesh dhe shërbimesh.
“Qëllimi ynë kryesor ishte të realizonim këtë bashim në mënyrë të lehtë e efektive, duke u siguruar që klientët të mos përballeshin me asnjë vështirësi gjatë këtij procesi; ne mund të konfirmojmë tani përfundimin e suksesshëm të të gjithë operacioneve dhe unë po përfitoj nga ky rast për të falenderuar të gjithë njerëzit që e bënë këtë të mundur. Kjo blerje rrit praninë e Intesa Sanpaolo në tregun shqiptar dhe sjell një vlerë të shtuar për klientët, të cilët mund të shijojnë tashmë një gamë të gjerë produktesh e shërbimesh konkuruese, të ofruara nga një prej grupeve bankare më të mëdha e më të forta të eurozonës”, ka deklaruar ai.
Intesa Sanpaolo Bank Albania, si pjesë e Grupit Intesa Sanpaolo, lider bankar në Itali në të gjithë sektorët e biznesit, me një prezencë ndërkombëtare në 38 shtete, 5659 degë dhe rreth 19.4 milion klientë,
përfiton shumë nga njohuritë e thella në ecurinë e sektorëve të ndryshëm, duke kuptuar nevojat e klientëve dhe duke mbështetur rritjen e tyre, duke ndërmjetësuar krijimin e bashkëpunimeve mes aktorëve kryesorë të industrive të ndryshme dhe duke u bërë pararendëse e zhvillimeve teknologjike e kërkesave të tregut në shërbimet bankare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




