Banorët e Paskuqanit, Babrroit, Laprakës dhe zonës së “5 Majit” në Tiranë, kanë protestuar para kryeministrisë, duke kundërshtuar shembjen e banesave të tyre për projektin e Unazës së Madhe.
Një pjesë e tyre shprehen se shpronësimet që ka bërë qeveria për shembjen e shtëpive të tyre, janë të padrejta. Banorët kërkojnë një zgjidhje për strehimin e tyre pas prishjes së banesave dhe garanci për akt marrëveshjet që ka parashikuar qeveria. Për 1 orë e 43 minuta banorët e ‘5 majit’, ‘Laprakës’, ‘Paskuqanit’ dhe të ‘Kombinatit’ protestuan, madje i dhanë dy ditë ultimatum qeverisë për t’i dhënë një zgjidhje kësaj situate. Në të kundërt, banorët paralajmëruan grevë urie pranë kryeministrisë.
Mesazhi i fëmijëve për kryeministrin
Duke e konsideruar si protestë për të ardhmen, banorët të cilët preken nga projekti e rindërtimit, kishin marrë me vete fëmijët në tubimin para kryeministrisë.
Në kor, ata i bënë thirrje kryeministrit Rama që mos t'u prishin banesat. David Marku, 6 vjeçari nga zona e Laprakës, ishte protagonisti i protestës me mesazhin ee tij për kryeministrin Rama.
"O xhaxhi Edi, të lutem mos na i prish shtëpitë. Të lutem shumë mos na i prish shtëpitë. Nuk kemi shtëpi të tjera", ishte lutja e një vogëlushi për Ramën.
Disa prej tyre janë ulur në tokë, duke vizatuar me lapëstila në fletë formati A4 shtëpi, që simbolizonin protestën para kryeministrisë.
Enjola Duraku, një vajzë me aftësi të kufizuara, shtëpia e të cilës rrezikohet të prishet nga ndërtimi i Unazës së Madhe dhe rikualifikimi urban, kishte një mesazh për autoritetet qeveritare.
"Kam kërkuar të drejtën time për rrugën mijëra e mijëra herë dhe një zgjidhje nuk më është dhënë. Nuk më jep zgjidhje për rrugën dhe tani më prish shtëpinë. Ku do të më çojnë mua vëllezërit e mi? Nëse Edi Rama e ka ndarë mendjen të vijë dhe të më mbysë le ta bëjë. Shteti nuk më ka dhënë as shkollë, asnjë gjë dhe tani shtëpinë do të ma prishë! Turp të keni", tha ajo.
Banorët kërkojnë çmim tregu për shtëpitë
Disa prej tyre thonë se nëse nuk i jepet një zgjidhje, do të marrin vendim për të hyrë në grevë urie, ndërkohë që protestat do të përshkallëzohen.
“Mos na dëboni nga shtëpitë tona”, “Duam çmim tregu për shtëpitë tona”, me këto parrulla banorët e ‘5 Majit’ dhe ata të Paskuqanit kërkojnë drejtësi nga kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku Erion Veliaj që t’u japin shtëpi të reja me të njëjtat metra katrorë që ata kanë.
“Ne nuk jemi njoftuar fare, kanë ardhur e kanë sjellë letrën për prishjen e objektit dhe na kanë nxjerrë nga procesi i legalizimit. Ku do strehohemi? E kemi futur, por na kanë nxjerrë nga procesi i legalizimit, nuk na i legalizojnë”, tha një banor i Paskuqanit.
Nënë Liza, simboli i protestës te "5 Maji"
"Jam shumë e lodhur. Ai thotë i ka marrë nëna Liza, unë nuk kam marrë asgjë. Se kush e ka marrë… Shteti ka marrë shtëpinë time, unë asgjë. Gënjeshtra koti. Nuk kam si firmos pa firmosur ai kontratën për shtëpinë me noter dhe avokat. Kështu nuk firmos as kontratë dhe as bonus. Unë jam 78 vjeçe dhe jam jashtë", thotë nënë Liza, simbol i protestës së banorëve të “5 Majit”.
Një tjetër banor thekson se nuk janë kundër zhvillimit të zonës, por nuk mund të trajtohen me akt normativ. Gjithashtu, ai paralajmëron përshkallëzim të protestës.
Disa javë më parë, shembja e banesave në zonën e "5 Majit" në kuadër të projektit të rindërtimit, u shoqërua me përplasje mes policisë dhe banorëve ditë më parë.
Nga projekti për lagjen e re të "5 Maji", preken banorët e njësisë administrative nr.4 dhe nr.8, të cilët do të marrin kompensim të plotë, duke shkëmbyer banesën e tyre, me një shtëpi në godinat e reja që do të ndërtohen për të pastrehët nga tërmeti.
Deri në momentin që do të futen në shtëpinë e re këta banorë do të marrin bonusin e qirasë nga Bashkia e Tiranës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.