Dosje

Tahiri, nga Drejtoria e Policisë drejt ‘313’-ës. Ministri i dytë që dënohet me burg

Gazeta Si - Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri është shoqëruar mbrëmjen e kësaj të premteje në ambientet e Drejtorisë së Policisë Tiranë pas dënimit me 3.4 vjet burg për shpërdorim detyre. Më pas, ashtu siç tha edhe avokati i tij Maks Haxhia, ai do të transferohet në qelitë e paraburgimit te 313 në kryeqytet. “Sot do të shkojë në Drejtorinë e Policisë dhe nga aty pastaj do të sistemohet”, tha avokati Maks Haxhia.

Avokati zbuloi edhe se çfarë i ka thënë Tahiri pas dënimit. “E vetmja porosi ishte që të më qetësonte mua sepse më pa që isha tepër i tronditur”, tha Haxhia. Sipas vendimit, Saimir Tahiri duhet që ta vuajë dënimin në një burg të sigurisë së zakonshme.

Në fakt, Saimir Tahiri është personi i dytë që ka mbajtur më parë detyrën e ministrit dhe që dënohet nga një vendim i formës së prerë nga një gjykatë, që pas rënies së diktaturës në Shqipëri, por jo me burg.

Saimir Tahiri, i cili ka 5 vite që vijon betejën e tij me drejtësinë, ka dalë nga gjykata me pranga në duar, i shoqëruar nga policia.

I pari ish-ministër që u dënua, ka qenë Spiro Ksera. Ish-ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale në qeverinë 'Berisha 2', u arrestua në 30 janar 2016 dhe në 15 shtator po të atij viti u dënua me 1.8 vite burg, pasi u akuzua se vodhi fondet, rreth 30 milionë lekë për aktivitete sociale për fëmijët në nevojë, romët dhe moshën e tretë, që nuk u realizuan kurrë.

Po ashtu, Tahiri është ministri i dytë i qeverisë Rama që përfundon pas hekurave. Në fund të vitit të shkuar, u arrestua me urdhër të SPAK ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka për çështjen e inceneratorëve. Hetimi për të vijon, ndërsa gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg”.

Ish-ministri i Brendshëm Tahiri, u vu nën hetim nëntorin e vitit 2017, pasi autoritetet italiane goditën organizatën e vëllezërve Habilaj. Në përgjimet e kryera, emri i Tahirit përmendej disa herë në bisedat mes trafikantëve.

Në argumentimet e vendimit, Apeli i GJKKO-së, nënvizon se Tahiri ka lidhje me Moisi Habilaj dhe Artan Habilaj dhe këto lidhje kanë ndikuar që grupi kriminal të infiltrohet në radhët e punonjësve të policisë dhe të shtetit dhe kanë krijuar pasoja të drejtpërdrejta,  vështirësi dhe pengesa në drejtim të luftimit të veprimtarie kriminale.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë