Gazeta Si – Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar Kinës që të përdorë ndikimin e saj me Rusinë për të penguar një pushtim të Ukrainës.
Kështu ka shpjeguar zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Ned Price. “Ne ftojmë Pekinin, – tha ai, – të përdorë ndikimin e tij me Moskën për të kërkuar diplomaci, sepse nëse ka një konflikt në Ukrainë, nuk do të jetë mirë as për Kinën”.
Në orët e fundit, Kina ka bërë të dëgjohet zëri i saj, duke mbrojtur kauzën e Rusisë. Në një telefonatë me Sekretarin e Shtetit Antony Blinken, ministri i Jashtëm Wang Yi, tha se siguria “nuk mund të garantohet duke forcuar apo edhe zgjeruar blloqet ushtarake”, si NATO.
Gjithçka, duke përgatitur një samit kino-rus me rastin e vizitës së Putinit në Pekin për hapjen e Lojërave Olimpike Dimërore.
Topi është tani në fushën ruse dhe ka gjasa të qëndrojë atje për një kohë të gjatë. Kremlini nuk po nxiton të reagojë ndaj përgjigjeve të ofruara nga SHBA dhe NATO ndaj kërkesave të saj për garancitë e sigurisë me të cilat ka lidhur zgjidhjen e krizës ukrainase.
Moska duket se synon të zgjasë një tërheqje të luftës që tashmë ka nxjerrë në dritë disa çarje midis amerikanëve dhe evropianëve.
Nga Kremlini ka vetëm disa ankesa për refuzimin e Uashingtonit dhe Paktit Atlantik për të garantuar ndalimin e zgjerimit të NATO-s në Lindje.
Një përgjigje “jo pozitive”, thotë ministri i Jashtëm rus, Serghei Lavrov, duke shtuar megjithatë se “dialogu serioz”, është i mundur për çështje të tjera “dytësore”.
Një referencë e dukshme për propozimet për të negociuar për reduktimin e raketave në Evropë dhe për transparencën e stërvitjeve ushtarake. Megjithatë, Rusia do t’i studiojë kartat dhe “nuk do të reagojë menjëherë”, thotë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Moska duket se është e bindur se koha po luan në favor të saj dhe po pret të shohë nëse “unanimiteti total” midis Evropës dhe SHBA-së për të cilin ka folur presidenti Joe Biden, do t’i rezistojë rritjes së vazhdueshme të tensionit. Ose nëse, nga ana tjetër, në Evropë fillon të mbizotërojë frika për një përçarje të marrëdhënieve të rëndësishme ekonomike me Moskën dhe mbi të gjitha për një humbje të mundshme të furnizimeve me gaz rus.
Vendi më i ekspozuar duket të jetë Gjermania. E ndër të tjera, agjencia ruse e lajmeve”Tass”, kujton se së shpejti pritet një takim online mes kompanive të mëdha gjermane dhe Putinit.
Por Moska po bën presion veçanërisht për aktivizimin e “Nord Stream 2”, gazsjellësi që kushton 11 miliardë dollarë, që do të dyfishonte importet nga Rusia, ndërkohë që SHBA kundërshton vënien në punë të tij.
Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, i tha Bundestagut se nëse (dhe vetëm nëse) Ukraina pushtohet, Gjermania do të mbështesë sanksionet që bllokojnë gjithashtu tubacionin e ri.
Biden siguroi ditët e fundit se po punon për një plan përmes bashkëpunimit me prodhues të tjerë, si Katari, për të përmbushur nevojat evropiane për energji në rast se eksportet ruse dështojnë.
Kjo përforcon dyshimet e dikujt në Moskë, se qëllimi i SHBA-së është të vjedhë tregun evropian nga Rusia. Presidenti amerikan telefonoi gjithashtu presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskij, për të përsëritur “gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara me aleatët dhe partnerët e saj për t’u përgjigjur me vendosmëri nëse Rusia pushton më tej Ukrainën” dhe “përkushtimin e SHBA ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës”. Situata do të jetë të hënën në tryezën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të thirrur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Kjo nuk është koha për të pritur dhe parë se çfarë do të ndodhë. Tani nevojitet vëmendja e plotë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ne presim një diskutim të drejtpërdrejtë dhe të fokusuar”, – tha ambasadorja e SHBA-ve në OKB, Linda Thomas Greenfield.
Sipas Pentagonit, në 24 orët e fundit ka pasur një rritje të re të forcave luftarake të dislokuara nga rusët, sërish në pjesën perëndimore të vendit të tyre dhe në Bjellorusi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.