“Omicron po shkakton një cunami, jo një valë, infeksionesh”, deklaroi Tom Frieden, ish-drejtor i Qendrave të Shëndetit dhe Parandalimit të Sëmundjeve në SHBA. “Kemi mësuar shumë për këtë variant të koronavirusit që kur u identifikua më pak se dy muaj më parë. Ne e dimë që Omicron është shumë i transmetueshëm dhe tani përbën pothuajse të gjitha rastet e reja me Covid-19, duke anashkaluar dhe Deltan”, shpjegon Frieden.
Në një intervistë për mediet ndërkombëtare ai tha se Omicron shkakton sëmundje shumë më pak të rënda se Delta, veçanërisht në mesin e njerëzve që janë plotësisht të vaksinuar dhe të rritur. Dhe duket se rritja aktuale në rastet e Covid-19 e drejtuar nga Omicron mund të ulet pothuajse aq shpejt sa u rrit. Por eksperti thekson se lajmet nuk janë aq të mira sa mund të duken. Ai shpjegon se kjo vjen nga rritja e shpejtë e rasteve e cila po çon në rritje të shtrimeve në spital dhe vdekjeve, veçanërisht në mesin e të pavaksinuarve dhe mund të vazhdojë të rritet për disa javë, edhe pasi numri i rasteve është ulur.
“Numri i madh i rasteve tashmë vë në vështirësi sistemet shëndetësore dhe spitalet janë me staf të pamjaftueshëm, sepse punonjësit e shëndetësisë gjithashtu po sëmuren nga Covid-19 dhe nuk janë në gjendje të punojnë,”shton eksperti.

Në baza individuale, për njerëzit që janë vaksinuar dhe përforcuar, Covid-19 i shkaktuar nga Omicron dhe gripi janë të ngjashëm në ashpërsi në shumë aspekte. Për shumicën dërrmuese të njerëzve të vaksinuar, Covid-19 ka të ngjarë të shkaktojë simptoma jo më të këqija se një ftohje e keqe ose grip, apo edhe të jetë plotësisht asimptomatik. Shumica shërohen brenda pak ditësh, megjithëse disa kërkojnë shtrimin në spital dhe disa për fat të keq, kryesisht të pavaksinuarit, të moshuarit, ata me imunitet të kompromentuar rëndë ose ata me sëmundje të shumta shoqëruese janë më të rrezikuar.
Mjeku shpjegon se siç ndodhi për Delta-n, ata që janë të pavaksinuar janë në rrezik shumë më të lartë të sëmundjes së rëndë të shkaktuar nga Omicron sesa ata që janë të vaksinuar. Rreziku i vdekjes nga Delta tek të pavaksinuarit ishte të paktën 10 herë më i madh se rreziku i vdekjes tek të vaksinuarit.
Sipas ekspertit të CDC për Omicron, rreziku i vdekjes vlerësohet të jetë 90% më i ulët se rreziku i vdekjes nga Delta; ndoshta rreth 0.1% (1 në 1000) e të infektuarve me Omicron janë të rrezikuar për gjendje të rëndë.
“Por nëse rreziku i vdekjes për personat e pavaksinuar është 10 herë më i lartë se rreziku i vdekjes për personat e vaksinuar, ata që janë të pavaksinuar përballen me një rrezik më të madh të vdekjes nga Omicron sesa nga gripi, ndërsa ata që janë të vaksinuar kanë një rrezik jashtëzakonisht të ulët”,shton më tej Frieden.
Eksperti në analizën e tij shton se njerëzit mund të bëjnë një ndryshim të madh duke ndërmarrë veprime të thjeshta për të kufizuar transmetimin, për të mbrojtur më të rrezikuarit nga infeksioni dhe për të mbrojtur kujdesin shëndetësor.
Siç kanë këshilluar edhe kolegët e tij mbrojtja më e mirë do të thotë të vaksinohen sa më shumë njerëz; mbajtja e maskave në publik dhe veçanërisht në ambiente të brendshme të mbushura me njerëz;rritja e testimit të shpejtë; izolimi nga kontaktet më vulnerabël për plot 10 ditë për të kufizuar rrezikun e tyre dhe sigurimin e disponueshmërisë universale të trajtimeve efektive për Covid-19.
Eksperti shton se të gjithë janë shumë të lodhur nga pandemia. Por ai shpjegon se virusi po përshtatet dhe sa më shpejt të përshtatemi, aq më pak Covid-19 do të dominojë jetën tonë.
Burimi: CNN/ Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje