Kryeministri Edi Rama e nisi ditën me një mesazh të shkurtër dhe foto përkujtuese për katër viktimat e protestës së 21 janarit 2011, i bindur se drejtësia për vrasjen e tyre në bulevard do të mbërrijë një ditë.
“Me bindjen që drejtësia vonon po nuk harron, si edhe ndjesinë më në fund pozitive nga shenjat e dallueshme të veprimit të drejtësisë së re, nderojmë sot katër protestuesit paqësorë të 21 janarit, vrasja barbare e të cilëve kërkon drejtësi”, shkroi ai për ndjekësit e vet në rrjetet sociale.
Kujtimi i katër viktimave është ende i fortë për familjarët dhe të afërmit e tyre, që vazhdojnë betejën për drejtësi, por për pjesën tjetër të shqiptarëve, 11 vite më vonë ai po zbehet, ndërsa postimi i Edi Ramës tërhoqi vëmendjen e skeptikëve se drejtësia nuk ka për të ardhur kurrë për ta.
“I përjetshëm kujtimi. Po ju z.Kryeministër nuk e mbajtët fjalën. Për më shumë sot e kësaj dite jeni bërë njësh me vrasësit e tyre. Ju po hiqni zvarrë dënimin e kriminelëve. Është turp që sot del dhe kujton ata që ranë për idealet tuaja”, i shkruan një ndjekës Kryeministrit.
“Këto ofendime nuk kanë asnjë lidhje me faktet e me argumentat, kështu që nuk kam çfarë të them fare, sepse kush ofendon nuk do dialog, po do vetëm të flasë vetë e të dëgjojë vetë!”, i përgjigjet Kryeministri.
Mes përgjigjeve të kthyera, Rama thotë se ai e ka bërë pjesën e vet sa i takon vendosjes së drejtësisë për katër të vrarët në bulevard.
“I kam bërë unë të gjitha ato që më takonin, edhe Reformën në Drejtësi, edhe përkujdesjen për familjet sipas mundësive, sepse nuk jemi në vitin 1945 kur partia e qeveria bënin edhe gjyqet, kështu që duhet durim e besim. Nuk ka rrugë tjetër, përtej fjalëve që thuhen kollaj! Nuk procedon penalisht as Qeveria, as Kryeministria o mik, po drejtësia dhe drejtesia e re është ende në formim e sipër, kështu që ndryshimi është se pa Reformën në Drejtësi nuk kishim asnjë shpresë, sepse drejtësia ishte tokë e djegur, ndërsa sot fara e drejtësisë së re është hedhur e po mbin dalëngadalë!”, shkruan Kryeministri.
“Po Naltmadhni po, por jeni aq bashkëfajtor sa është edhe Berisha me Lulin në këtë ngjarje që mos të përmendim atë Mr. Korrupsionin “Metën”, i dërguat njerëzit si cjapi tek kasapi dhe tani derdhni lot krokodili. Atë që ju bashkë i keni bërë Shqipërisë për 30 vjet nuk ja ka bërë Enveri për 50 vjet…”, shkruan një tjetër ndjekës i Ramës në Facebook.
“Ky është një këndvështrim krejt arbitrar dhe pa lidhje me realitetin, përpos edhe me një gjuhë që nga pikëpamja etike lë shumë për të dëshiruar, njësoj si të ngatërrosh vajin me uthullën, ndërsa për Enverin e për këto 30 vjet nuk ke ç'u thua atyre që nuk e kanë idenë as se ç'ishte enverizmi, as se ç'është shtetndërtimi dhe mirë s'e ka idenë, po as nuk duan të mësojnë, përkundrazi, japin edhe mend!”, i përgjigjet Kryeministri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.