Shendet

Britania e Madhe drejt fundit të pandemisë? Covid-19 do trajtohet si grip sezonal, hiqen kufizimet këtë javë

Britania e Madhe mund të jetë drejt fundit të pandemisë: Kjo teori po mbështetet edhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, në dritën e të dhënave më të fundit që shohin rënien e shpejtë të infektimeve. “Duke e parë nga këndvështrimi i Mbretërisë së Bashkuar – tha David Nabarro, kreu i Covid në OBSH – duket se ka dritë në fund të tunelit”. Prandaj, “është e mundur të imagjinohet se fundi i pandemisë nuk është shumë larg”, shtoi Nabarro, megjithëse paralajmëroi se do të jetë ende një rrugë “me gropa”.

Është një optimizëm i mbështetur në radhë të parë nga qeveria britanike: “Ka shenja inkurajuese se infektimet po bien në të gjithë vendin”, tha zëdhënësi i Doëning Street, duke shtuar se edhe shtrimet  në spitale janë në rënie ose të paktën janë stabilizuar.

Rastet e reja me Covid ranë me më shumë se 40 për qind në një javë: dje ishin 84,000, krahasuar me një kulm prej 190,000 në natën e Vitit të Ri.

Rastet ditore gjithashtu kanë rënë me 6 për qind që nga fillimi i vitit dhe tani janë vetëm 623 persona në kujdes intensiv në të gjithë Britaninë e Madhe.

Kjo është arsyeja pse Boris Johnson mund të shpallë fundin e kufizimeve të vendosura si pasojë e variantit Omicron në fund të vitit të kaluar, këtë javë.

Në veçanti, do të hiqet pasaporta e vaksinimit (që vlen vetëm për disko dhe evente të mëdha) dhe do të pezullohet rekomandimi për të punuar nga shtëpia.

Maskat në dyqane dhe në transportin publik do të mbeten: por tashmë disa anëtarë të partisë konservatore kërkojnë që ky kufizim i fundit të hiqet, në mënyrë që të kthehet në normalitet të plotë në fund të janarit

Shkencëtarët britanikë besojnë se Covid mund të trajtohet si grip këtë vit: “Së shpejti do të jetë vetëm një nga shkaqet e ftohjes së zakonshme,” tha profesori Paul Hunter i Universitetit të Anglisë Lindore.

Ne do të kemi nevojë për përforcues vaksinash për më të dobëtit, por nuk shoh nevojën për përdorim të përgjithshëm të maskave apo tamponëve. Përfundimisht, ne do të jetojmë në një shoqëri ku ky virus qarkullon gjerësisht, por nuk vret më njerëz”

Nga ana tjetër edhe  opinioni publik tashmë duket se e ka pranuar idenë e të jetuarit me Covid-in. Londra është përsëri e mbushur me njerëz dhe trafiku në rrugë është 70 për qind më intensiv se sa ka qenë në muajin e fundit; frekuentimi në metro është rritur me 8 për qind krahasuar me javën e kaluar dhe në autobusë me 4 për qind, me 1 milion e 200 mijë udhëtarë dje.

Marrë nga Corriere.it/ Përshtati në shqip Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë