Fillimi i vitit të ri shpeshherë shihet si koha për fillime të reja, por njerëzit shpesh përjetojnë një trishtim të pashpjegueshëm gjatë muajit janar. Psikologët shpjegojnë se bëhet fjalë për “depresionin e janarit”, e cila është konsideruar nga ekspertët e shëndetit mendor një gjendje e vërtetë mjekësore.
Psikologja Nereida Llaha i ka shpjeguar Gazetasi.al se depresioni i janarit ka të bëjë kryesisht me fillimin e ri në të njëjtën rrugë të vjetër.
Çfarë do të thotë kjo?
“Pas entuziazmit të festave duket sikur me mbarimin e tyre apo me heqjen e zbukurimeve, ne ulim në të njëjtën kohë edhe “automatin” e energjisë pozitive që na dhurojnë festat. Kjo situatë pasohet menjëherë nga rikthimi në kujtesë të punëve apo aktiviteteve që kemi ndërprerë ”, shpjegon psikologja.
Sipas Llahës individët fillojmë në heshtje të bëjnë ato llogaritë e tyre mbi arritjet, realizimet ose jo të qëllimeve dhe planeve paralelisht me vendosjen e objektivave të rinj për vitin e ri. Siç e shpjegon psikologja, në aspektin afektiv rrit tendencën për t’u tërhequr nga aktivitetet apo ndërveprimet nga marrëdhëniet tona.
“Bëhemi më të mbyllur dhe rritet përjetimi i emocioneve negative deri në dëshpërim, nervozizëm, demotivim, mungesë energjie, probleme me gjumin dhe oreksin etj”,shtoi Llaha.

Ndërkaq sipas organizatës bamirëse të shëndetit mendor “Mind” në Britani, dëshpërimi i janarit mund të zgjasë disa javë, pas fenomenit të ashtuquajtur “Hëna Blu” e cila është konsideruar nga astrologët si dita më depresive e vitit. Kjo ditë është llogaritur duke përdorur një seri faktorësh në një formulë (jo veçanërisht shkencore) matematikore.
Psikologja Llaha shpjegon se kalimi nga një gjendje shumë alerte angazhimi, festimi në rikthimin e menjëhershëm në rutinën apo përditshmërinë na gjen të papërgatitur.
“Për shumë individë Janari konsiderohet si muaji më i gjatë, më i lodhshëm për shkak edhe të kushteve atmosferike të ulta. Kjo rëndesë ndihet në çdo aspekt: emocional, fizik por shpesh edhe ekonomik pasi në shume raste përcjellja e vitit të vjetër bëhet me ceremoni shpenzimesh shpesh herë të pa menduara mirë”, shtoi psikologja.
Si mund ta kalojmë këtë periudhë?
Llaha shpjegon se përgjithësisht mendimet dhe situatat e gjithsecilit janë ato që drejtojnë zgjidhjen apo kohëzgjatjen.
Psikologja shpjegon se fillimisht duhet të kuptojmë dhe besojmë se është një gjendje kalimtare. Ndër këshillat e Llahas është se individët gjatë kësaj periudhe individët duhet të shtojnë aktivitetin fizik, të aplikojmë ushtrime apo teknika relaksuese. Meditimi, joga , ecjet në natyre pavarësisht temperaturave, përqendrimi në aspektet pozitive të jetës, fokusi tek mendimet pozitive.
“Do të thoja që individët duhet të ngushëllojnë veten që nuk janë vetëm, pothuajse të gjithë kalojnë në kurbën e këtij shpërthimi emocional dhe se shqetësimi mbi luhatjet e humorit është një mysafir që largohet shpejt nga jetët tona, me pak optimizëm dhe pozitivitet”, shton Llaha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje