Shendet

Spanja hap debatin: Ka ardhur koha që Covid të trajtohet si grip

Spanja ka hapur debatin mes vendeve të Bashkimit Europian, që me përhapjen e Omicron, pandemia të marrë fund dhe virusi të trajtohet si një grip i zakonshëm.

Kryeministri Pedro Sanchez tha se ky mund të jetë momenti i duhur për t’u rikthyer në normalitet, duke sugjeruar që Covid-19 të trajtohet në mënyrë të ngjashme me një endemi gripale.

“Situata nuk është më si ajo me të cilën u përballëm vitin e kaluar. Mendoj se duhet të vlerësojmë dhe marrim në konsideratë evolucionin e Covid dhe ta trajtojmë atë si një sëmundje endemike, për dallim nga pandemia me të cilën jemi përballur deri më tani”, deklaroi kryeministri spanjoll në një intervistë radiofonike në vend.

Një lëvizje e tillë do të zëvendësonte masat e ashpra kufizuese dhe numërimin ditor të infeksioneve të reja me një sistem që do të gjurmonte vetëm vatrat e mundshme të infeksionit, ashtu si në rastet e gripit.

Por, propozimi bie ndesh me politikat që kanë ndërmarrë një sërë vendesh të Bashkimit Europian, si Austria, Franca, Gjermania dhe Italia që kanë izoluar dhe kufizuar lëvizjen e miliona banorëve. Po, ashtu edhe Kina nuk ka dhënë deri më tani asnjë shenjë tërheqjeje nga politika e vet “Covid Zero”, ku vetëm të martën mbylli në shtëpi një qytet me 5 milionë banorë pasi zbuloi 60 raste me Omicron.

Spanja është një ndër vende me përqindjen më të lartë të popullsisë së vaksinuar. Thuajse 91 për qind e popullsisë mbi 11 vjeç janë vaksinuar me dy doza, dhe 86 për qind e personave mbi 60 vjeç kanë marrë edhe nëj dozë përforcuese.

Vaksinimi ka reduktuar edhe vdekjet nga Covid nën 1 për qind, nga 13 për qind që ka qenë kjo shifër në valën e parë të pandemisë. Vaksinimi, mundësia që në një të ardhme të afërt të shtohen edhe antiviralët oralë dhe vetëmbrojtja përmes maskave dhe distancimit fizik, sipas Sanchez, duhet të ndezin tashmë debatin për të ulur nivelin e gatishmërisë së vendeve dhe përqafimit të një realiteti të ri më pranë normalit të parapandemisë.

Sanchez sugjeron që vendet, në vende të numërimit të rasteve të reja dhe izolimit të individëve të infektuar me Covid, të shohin mundësinë e trajtimit të sëmundjes si një grip i zakonshëm duke iu përgjigjur me mekanizma që identifikojnë vatra të shpërthimit të virusit dhe jo individët.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë