Gjykata e Fierit, ka dhënë 30 ditë burg për edukatoren e kopshtit privat në Fier, ku pak ditë më parë humbi jetën në mënyrë tragjike një 3-vjeçar. Sipas gjykatës, Redina Binjaku akuzohet për veprën penale të shkeljes së rregullores në punë.
Megjithatë, prokuroria do të ketë një muaj kohë për të mbledhur më shumë prova për të kuptuar nëse edukatorja është përgjegjëse për vdekjen e të miturit.
Binjaku mësohet se nuk është paraqitur fizikisht në gjykatë, por është përfaqësuar nga avokati i saj mbrojtës, i cili është njohur me masën e sigurisë për klienten e tij. Ajo i paraqiti një letër Gjykatës së Fierit përmes avokatit, për mungesën e saj në seancën gjyqësore.
“Në radhë të parë i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së të miturit… Jam shumë e ngarkuar psikologjikisht prej situatës në të cilën ndodhem. Për këtë shkak nuk mund të marr pjesë në zhvillimin e seancës për vlerësimin e arrestit dhe caktimin e masës së sigurisë”, thuhet në letër.
27-vjeçarja u arrestua, pasi sipas bluve, i mituri ka humbur jetën aksidentalisht në një kohë kur do duhet të ishte në mbikëqyrjen e edukatores.
Akuzat e familjarëve
Nga ana e familjarëve, të cilët një ditë më parë u mblodhën edhe përpara prokurorisë se Fierit, ka pretendime për mënyrën se si ka ndërruar jetë 3-vjeçari, pasi fillimisht u deklarua që ka kamera sigurie, të cilat do tu viheshin në dispozicion, e më pas u tha se zona ku ndodhi ngjarja nuk survejohej nga kamerat.
Nëna e djalit të mitur që ndërroi jetë, tregoi një ditë më parë para kamerave se ishte edukatorja e kopshtit që e mori në telefon për ngjarjen.
Sipas nënës së viktimës, edukatorja i kishte thënë se djali ishte përmendur, ndërsa më pas doktorët e kishin njoftuar se i mitur ndërroi jetë.
Versioni i edukatores në polici
Në kohën që ora po shkonte 13 dhe babai i fëmijës do të paraqitej në kopsht për të marrë djalin, edukatorja e kishte bërë gati, e kishte veshur dhe e kishte lënë në korridor afër portmontosë, ku ndodhej çanta, pasi një fëmijë tjetër nga grupi i saj po qante.
Ky ka qenë dhe momenti fatal. Edukatorja kishte shkuar brenda në klasë për të parë se çfarë kishte ndodhur me fëmijën tjetër, pse po qante dhe e ka qetësuar atë.
Kur është rikthyer për tek fëmija 3-vjeçar që e la në korridor pranë portmantosë, e ka gjetur atë të varur tek varësja ku fëmijët linin xhupat dhe çantat.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.