Sistemet e kujdesit shëndetësor të Evropës po tensionohen edhe një herë nga përhapja e shpejtë e variantit Omicron të Covid-19 gjatë periudhës së festave, me një numër të madh të stafit kyç të sëmurë ose të izoluar dhe ekspertët që parashikojnë se kulmi i infeksioneve nuk ka ardhur ende. Pavarësisht nga studimet e hershme që tregojnë një rrezik më të ulët të sëmundjes së rëndë ose shtrimit në spital nga Omicron në krahasim me variantin e mëparshëm dominues Delta, rrjetet e kujdesit shëndetësor në të gjithë Spanjën, Britaninë, Italinë dhe më gjerë e kanë gjetur veten në tension.
Të premten, Britania autorizoi vendosjen e personelit ushtarak për të mbështetur spitalet që përjetojnë mungesa të stafit dhe presione ekstreme për shkak të rasteve rekord të Covid-19 në vend.
“Omicron do të thotë më shumë pacientë për t’i trajtuar dhe më pak staf,” tha në një deklaratë drejtori Mjekësor i Shërbimit Shëndetësor Kombëtar (NHS),Stephen Powis.

Në Shtetet e Bashkuara, spitalet po shtyjnë operacionet për të liruar stafin dhe shtretërit, ndërsa rrjeti i kujdesit parësor shëndetësor të Spanjës është aq i tensionuar sa në ditën e parafundit të vitit 2021 autoritetet me anë të një autorizimi rikthyen në punë punonjësit shëndetësorë që kishin dalë në pension.
“Rritja e rasteve do të thotë që kujdesi parësor nuk mund të kryejë as detyrat e tyre të gjurmimit të kontakteve dhe fushatës së vaksinimit në mënyrë adekuate, as aktivitetet e tyre të zakonshme,” thanë autoritetet në një deklaratë.
Punëtorët e linjës së parë si infermierët dhe fizioterapistët janë më të prekurit, tha sindikata spanjolle e infermierëve SATSE.
Infektimet po rriten shpejt.
Në Holandë, shkalla e infeksionit po rritet gjithashtu ndjeshëm në mesin e personelit të spitalit, veçanërisht infermierëve dhe ndihmësve të infermierisë, raportoi e përditshmja holandeze “De Telegraaf”, pas një sondazhi të tetë spitaleve kryesore.
Në rastet më të këqija, një në katër rezultoi pozitiv në prag të Krishtlindjeve, si në Qendrën Mjekësore Universitare të Amsterdamit, ku 25% e stafit tani kanë dalë pozitivë, krahasuar me 5% një javë më parë.
“Spitalet holandeze po mendojnë të ndryshojnë rregullat e tyre të karantinës në mënyrë që stafi i infektuar që nuk ka simptoma të mund të vijë në punë,” shkroi De Telegraaf, pasi numrat e rasteve ditore holandeze thyejnë rekorde pavarësisht një bllokimi të rreptë që nga 19 dhjetori.
Në Itali, problemi i punonjësve shëndetësorë të infektuar – më shumë se 12,800 sipas të dhënave të mbledhura javën e kaluar – po shtohet nga pezullimi i mjekëve, infermierëve dhe stafit administrativ që nuk janë vaksinuar dhe përfaqësojnë pak më shumë se 4% të fuqisë totale të punës.
Në një përpjekje të fundit për të mbushur boshllëqet në shërbim, agjencitë shëndetësore italiane po ngrijnë pushimet e stafit, duke i shtyrë ato për periudha të tjera dhe duke shtyrë operacionet e planifikuara që nuk klasifikohen si “urgjente”.

Mesatarisht rreth 80,000 personel mjekësor mungonin nga puna çdo ditë gjatë javës deri më 2 janar – periudha më e fundit për të cilën ka të dhëna – një rritje prej 13% në krahasim me javën e kaluar, sipas Shërbimit shëndetësor Kombëtar në Londër. Pothuajse gjysma e këtyre mungesave, ose 44%, ishin për shkak të COVID-19, një rritje prej më shumë se e pesta nga një javë më parë.
Rafael Bengoa, bashkëthemelues i Institutit për Shëndetin dhe Strategjinë në Bilbao dhe një ish-zyrtar i lartë i OBSH-së, tha se Spanja nuk kishte marrë masa të mjaftueshme për të përforcuar shërbimet jetike dhe presioni do të vazhdojë të rritet për disa javë.
Ai e konsideron të pamundur që të shfaqet një variant më infektiv i cili është edhe më vdekjeprurës se Omicron dhe është optimist se vala aktuale mund të sinjalizojë fillimin e fundit të pandemisë.
“Pandemitë nuk përfundojnë me një bum të madh, por me valë të vogla, sepse ka njerëz që e kanë kaluar infeksionin dhe janë vaksinuar. Pas Omicron, ne nuk duhet të shqetësohemi për asgjë më shumë se një valë të vogël”,shtoi eksperti.
Burimi:Reuters/Përshtati:Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje