Një fëmijë 3 vjeç ka humbur jetën në mënyrë tragjike në një kopsht privat në qytetin e Fierit. Ngjarja ka ndodhur këtë të premte rreth orës 13:00 sipas Policisë së Fierit.
Nga informacionet paraprake, dyshohet se i mituri, në momentin që ka veshur xhupin, te varësja e raftit të rrobave, ka dashur të marrë edhe çantën, por për fat të keq, i ka ngecur kapuçi i xhupit dhe është mbytur.
Ai u gjet i shtrirë nga edukatoret në ambientet e Kopështit duke e dërguar urgjentisht në spital, por ka qenë e pamundur për mjekët pasi fëmija ka mbërritur pajetë aty.
Trupi i fëmijës së vogël është dërguar në morg dhe pritet t’i nënshtrohet ekspertizës mjekoligjore.
Sipas burimeve nga spitali, fëmijës i janë konstatuar shenja në fyt dhe në momentin që ai është dërguar nga edukatoret në spital nuk reagonte.
Një nga edukatoret e kopshtit, e cila ka konstatuar të shtrirë në tokë fëmijën, është shoqëruar në polici.
Ndërkohë, daja i fëmijës së vogël, duke folur për ngjarjen, kërkon që drejtësia të zbardhë ngjarjen.
“E dërguam në mëngjes djalin për ta mësuar dhe edukuar në kopsht kur na erdhi lajmi hajdeni se e keni keq. Takova doktorin dhe më tha se djali ka ardhur pa shenja jete. Djalin nuk e shpëtuam. Më tha kishte një shenjë në grykë. Duam drejtësi", - thotë ai.
Ndërkohë, janë sekuestruar kamerat e sigurisë të kopshtit, pasi vdekja ka ndodhur në ambientet e brendshme të tij.
Policia nuk ka dhënë zyrtarisht shkakun e vdekjes së fëmijës, por janë gjetur hematoma në qafë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.