Deri në vitin 2050, më shumë se 153 milionë njerëz mund të kenë demencë, (humbja e funksionit kognitiv – të menduarit, të kujtuarit dhe arsyetimit) nga 57 milionë në vitin 2019, paralajmërojnë ekspertët. Rritja e parashikuar është kryesisht për shkak të plakjes së popullsisë, por sipas studimit të publikuar në revistën mjekësore “The Lancet Public Health”, ndikon edhe stili i jetesës.
Faktorët e rrezikut që duhet të adresohen urgjentisht dhe konsiderohen si ndër efektet kryesore janë normat e larta të pirjes së duhanit, obeziteti dhe diabeti.
Studimi, i cili shqyrton 195 vende, synon t’u japë qeverive një ide se cilat burime dhe mbështetje mund të nevojiten dhe çfarë veprimi mund të ndihmojë. Demenca është tashmë shkaku i shtatë kryesor i vdekjeve në mbarë botën dhe një nga shkaqet kryesore të paaftësisë tek të moshuarit. Por nuk është e pashmangshme. Studiuesit theksojnë rëndësinë e përmirësimeve në aksesin në arsim në vendet anembanë botës dhe thonë se shifra e tyre e parashikuar për vitin 2050 tashmë është përshtatur në rënie me 6.2 milionë, bazuar në atë që pritet të ndodhë në këtë fushë.
Ata janë më pak optimistë për efektet e mbipeshës, sheqerit të lartë në gjak dhe pirjes së duhanit mendohet se do të shkaktojnë shtatë milion raste shtesë në vitin 2050.
Autorja kryesore e studimit Emma Nichols, nga Instituti për Metrikat dhe Vlerësimin e Shëndetit, në Universitetin e Uashingtonit, në SHBA, tha se ekspertët shëndetësor duhet të përqendrohen më shumë në parandalimin dhe kontrollin e faktorëve të rrezikut.
“Për të pasur ndikimin më të madh, ne duhet të reduktojmë ekspozimin ndaj faktorëve kryesorë të rrezikut në çdo vend. Për shumicën, kjo do të thotë përshkallëzimi i programeve të përshtatshme lokale dhe me kosto të ulët që mbështesin dieta më të shëndetshme, më shumë stërvitje, lënien e duhanit dhe akses më të mirë në arsim”, shtoi ajo.
Burimi: BBC/ Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje