Motosport

Video/ Pamje të reja hedhin dritë mbi incidentin e famshëm Sena-Prost në 1989


Është një nga incidentet më të famshëm të historisë së Formulës 1, për fat të mira pa pasoja fizike për pilotët, por me pasoja të mëdha për titullin e Botërorit 1989. Po flasim për përplasjen mes Alan Prost dhe Airton Senës në Suzuka të Japonisë.

Makinat MekLaren të dy kampionëve u përplasen dhe ndërsa Prost u tërhoq, braziliani u shty në pistë nga komisarët (për këtë u skualifikua) dhe fitoi garën, para ndëshkimit që e përjashtoi dhe i dhuroi titullin kampion rivalit francez.

Një video e fundit hedh më shumë dritë mbi dinamikën e atij kontakti në xhiron e 47-të të garës. Pamja është ballore dhe lejon vlerësimin më të mirë të trajektores së dy makinave MekLaren, në garë për titull. Prost ishte i pari pas pit stop-it, po e administronte garën dhe Sena, i dyti në klasifikim, kishte mundësinë për të dalë kampion në rast fitoreje në Suzuka dhe garën e fundit në Australi. Ai luajti gjithçka për gjithçka, duke i dhënë jetë një përmbysjeje spektakolare.

Në xhiron e 47-të sulmi: Sena del me shpejtësi në pjesën e drejtë dhe i afrohet Prostit nga pjesa e brendshme, por më pas goditet nga francezi, që i mbyll trajektoren nga e djathta. Mbyllje e qëllimshme për të synuar tërheqjen e të dyve (Prost ishte para në klasifikim)? E drejta e trajektores për atë që është përpara? Futje shumë optimiste e Senës?

Debati vazhdon edhe sot, por siç mund të vërehet në video, makina e Prostit fillon mbylljen nga e djathta, duke imponuar një trajektore që do ta çonte jashtë piste rivalin. Pamje që shtojnë dyshimet për një mbyllje të trajektores të shpejtë dhe të qëllimshme për të dëmtuar brazilianin.

Duhet theksuar se nuk është shumë e qartë, nëse Sena e kishte mbyllur manovrën e parakalimit, duke qëndruar në trajektoren korrekte. Por shtyrja e Prostit që shihet në këto pamje të reja është për t’u investiguar. Sena u rinis me një pjesë të makinës së dëmtuar, u kthye në bokse, e ndërroi atë dhe fitoi garën, por u skualifikua, sepse për t’u rinisur u ndihmua nga komisarët e garës, diçka e ndalur me rregullore.

Braziliani fitoi titullin një vit më pas, gjithmonë në Suzuka, kur përplasi Ferrarin e Prostit. Në këtë rast, tërheqja e dyfishtë favorizoi Senën. Dy pilotë të mëdhenj, po edhe dy njolla të shëmtuara për të dy në ata tituj të fituar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë