“Në fillim të këtij viti ‘dhurata e babagjyshit’ për shtëpinë tonë ishte Covid-19”,tregon Jonela, një 29-vjecare e cila ka babain në gjendje të rëndë nga virusi, i cili prej dy vjtësh po torturon të gjithë botën.
E stresuar dhe duke e ndërprerë bisedën disa herë, Jonela tregon se para katër ditësh babai i saj u konfirmua se kishte Covid-19 nga skaneri i mushkërive, pas tre testesh PCR që tregonin se ishte negativ. E reja tregon se mjekët i kishin thënë se testet kanë rezultuar negative për shkak se virusi kishte kaluar në mushkëri. Me simptoma tepër të forta, si kollë e rëndë, temperaturë dhe vështirësi në frymëmarrje, Jonela tregon se babai i saj ka rreth tetë ditë që qëndron i izoluar dhe ka marrë një sërë ilaçesh.

Ajo tregon e mërzitur se janë detyruar të vendosin oksigjen dhe çdo ditë marrin një infermier në shtëpi. Duke treguar për Gazetasi.al Jonela shton se edhe gjendja ekonomike është e dobët e të gjitha paratë po i shpenzojnë për ilaçe, oksigjen dhe ushqime të përditshme, e kështu që festave të “pa lumtura” të kësaj familjeje i shtohet edhe një hall tjetër më shumë.
“Deri më tani kemi marrë 3 aparatë oksigjeni që nuk kushtojnë pak. Im atë merr deri në 8 litra oksigjen në ditë e një prej aparatëve 10 litra kushton 5000 lekë. Pa llogaritur ilaçet e tjera”, shton e reja.
Duke qëndruar në ankth të vazhdueshëm Jonela gjeti pak kohë që të flasë mbi problemin e saj për Gazetasi.al sepse ajo e cilëson të rëndësishëm vaksinimin.
“Të gjithë jemi të vaksinuar përveç tij”, shton ajo.
Ndonëse kishte kohë që i ishte lutur për vaksinimin, babi i saj nuk kishte pranuar duke pasur një sërë justifikimesh e kjo pati pasojat e saj. Jonela tregon se kjo gjë e shqetësonte pa masë sepse infektimin nuk do e ndalonte dot por këtë gjendje po…
Mes lotësh ajo shpjegon se është e vështirë për të gjithë familjen. Sipas Jonelës gjendja e babait të saj u përkeqësua për shkak të diagnostikimit të vonë dhe se në ditët e para nuk mori hollues gjaku që ishte shumë i rëndësishëm. Mes hutimit dhe shqetësimit ata kishin harruar të merrnin holluesin dhe nuk e kishin kuptuar deri në momentin që ia kishte përmendur doktoresha.

Ajo thotë se kanë frikë të flenë natën sepse mendojnë që do të përkeqësohet dhe nuk do marrë më frymë.
“Jemi në ankth gjithë kohës. Mami qëndron ditën me të dhe e monitoron për oksigjenin, ndërsa unë dhe vëllai qëndrojmë natën. Dje u tmerruam sepse i shkoi oksigjeni 89 dhe nuk dinim cfarë të bënim”, tregon Jonela.
Ndërkaq lidhur me festat “askush nuk e ka mendjen tek to, as të hajë e as të pijë” siç thotë Jonela.
“Festën e këtij viti edhe të gjithë jetës do e bëj kur babi të shërohet. Nuk mund të festojmë kur e shohim atë të vuajë”,shton e reja.
Me sytë e përlotura, 29-vjeçarja thotë se do trokasë gotat me familjarët kur i ati të shërohet. Ajo tregon se në natën e ndërrimit të viteve, me shpirtin e tavolinën e zbrazur u lut për një vit me shëndet.
*Emri është ndryshuar për të ruajtur konfidencialitetin e personit!
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje