Shendet

Viti 2 i pandemisë, Alimehmeti: Shumica e popullatës e imunizuar, me Omicron jemi në fund të tunelit

Epidemiologu klinik Ilir Alimehmeti në një analizë për Gazetën “Si” të situatës epidemiologjike për vitin e dytë të pandemisë në vendin tonë thekson se ndryshe nga 2020, këtë vit sistemi shëndetësor përballoi më mirë dy valët e pandemisë për shkak të rritjes së imunitetit të tufës si pasojë e vaksinimit dhe eksperiencës në mënyrën e trajtimit me terapi efikase. Sipas tij, strategjia e vaksinimit duhet të fokusohet tek doza e tretë kryesisht për moshat e treta, të sëmurët kronikë dhe personat e pavaksinuar.

Shqipëria, në fillim të muajit janar pritet të përfshihet nga vala e katërt e pandemisë, si pasojë e prezencës së variantit të ri Omicron.

Në një intervistë për Gazetën “Si”, ndërsa analizon situatën epidemiologjike në Shqipëri, epidemiologu klinik Ilir Alimehmeti thotë se nuk duhet të shqetësohemi, sepse kemi më shumë mundësi ta kalojmë këtë valë pa kostot sociale dhe ekonomike të fillimit të pandemisë.

Sipas tij, dimri 2020-2021 e gjeti Shqipërinë me një popullatë me një imunitet të ulët dhe për pasojë dy valët e pandemisë, ai i  vjeshtës 2020 dhe varianti Alfa që ishte në janar-shkurt-mars 2021, shkaktuan një numër shumë të lartë të sëmurësh, shtrime në spital dhe vdekshmëri të lartë.

Kjo valë nisi të bjerë  në fund të marsit dhe fillimit të prillit ku u arrit imuniteti aktiv, bazur dhe në statistikat zyrtare.

“Me nisjen e vaksinimit në fillim të muajit prill, bazuar dhe në një studim të Akademisë së Shkencave popullata arriti pragun e 73.3 % të imunitetit kolektiv, krijuar qoftë nga vaksina qoftë nga infektimi natyror dhe kjo justifikonte që ne kishim imunitet kolektiv në Tiranë të lartë”, thotë doktor Ilir Alimehmeti.

Sipas tij, kjo gjendje zgjati pak muaj, por me qarkullimin e variantit Delta, e cila kërkon mbi 85-90  % mbrojtje antitrupash, në periudhën  gusht-shtator vendi u godit sërish nga rritje e lartë infektimesh, shtrime spitalore dhe vdekjesh.

Në analizën e tij, epidemiologu Ilir Alimehmeti thotë se në fillim të 2021 u duk sikur numri spitalor u rrit me 600-700 shtrime në javë por arsyeja bazë ishte hapja e spitaleve rajonale, që kishin tashmë të shtruarit e tyre zyrtarë.

“Kurba më e fortë e covid për Tiranën ishte periudha tetor-dhjetor 2020. Kurba Alfa kapi më lehtë Tiranën në janar- mars të 2021, por dëmtoi më shumë rrethet.

Sepse është normale që në një epidemi, metropoli goditet e para, në moment të dytë qytetet më të vogla dhe në moment të tretë zonat rurale e me radhë”, thotë doktor Alimehmeti.

Sipas tij, pas kryeqytetits, aksi më i goditur nga pandemia gjatë këtij viti ishte zona Kavajë-Rrogozhinë-Lushnje-Fier-Vlorë dhe deri diku edhe Korça.

Dallim bëri zona veriore e cila përcolli shifra të ulëta infektimesh në periudhën e dimrit pasi kishte përjetuar një valë infektimesh me Alfën që në vjeshtë.

“Patëm 3 muaj qetësi dhe filloi vala tjetër për shkak të variantit Delta, me shifra të rëndësishme në gusht por ajo kishte hyrë me raste sporadike që në muajt maj-qershor.

Delta ringriti rastet por ne na gjeti të përgatitur me një prag imuniteti 73.3 % imunitet kolektiv, flasim për popullatën adulte në Tiranë, sepse në rrethe e zonat rurale ishte më e ulët.

Kjo ndihmoi që ne të mos kishim raste të shumta në spital dhe humbje jete sic pati Kosova”, thotë doktor Alimehmeti.

Epidemiologu Ilir Alimehmeti thotë se ndryshe nga ne, Kosova në korrik kishte imunitetin kolektiv 38.8 përqind e për pasojë atje pati më shumë humbje jete dhe shifrat spitalore.

“Siç e kishim përllogaritur, midis periudhës 10 dhe 15 shtator filloi rënia e rasteve, megjithë hapjen e shkollave cka tregoi qartë se ne kemi kapacitet kolektiv me hapjen e shkollave  që u hapën me 13 shtator dhe ne rastet i patëm vazhdimisht në rënie dhe ratste e vdekjeve dhe spitalore ishin të ulëta.

Kjo tregoi se shkollat nuk qenë faktor në 2021 që  të shtonin rastet”, thotë doktor Alimehmeti në analizën e tij për situatën epidemiologjike për vitin 2021.

Sipas tij,  ajo çka ngriti kurbën e shifrave të pandemisë, ishte ndeshja e futbollit Shqipëri-Poloni si pasojë e prezencës së 22 mijë vetave në stadium.

Edhe hapja e universiteteve më 18 tetor, sipas epidemiologut Almehmeti, nuk ndikoi në rritjen e rasteve duke treguar se tashmë kemi arritur një imunitet kolektiv të atillë që mund të na lejojë organizime deri në pak qindra, ndërkohë që sot një vit nuk flitej as për dhjetëra.

Por klinicisti i njohur thotë se këto episode treguan se megjithë krijimin e imunitetit të tufës sërish grumbullimet në mijëra persona së bashku shkaktojnë rritje të infektimeve e për këtë duhet treguar kujdes.

Doktor Alimehmeti thotë se ende nuk dihet se çfarë pritet të ndodhë me variantin Omicron, por potencialisht ka një transmetim më të lartë dhe ka një shkallë jo të vogël të kapërcimit të imunitetit natyror dhe vaksinës, për infektimin,  por jo për format e rënda dhe kjo është e rëndësishme.

“Nuk duhet të shqetësohemi më nëse jemi apo jo Covid por a do të rëndohemi, dhe duket se Omicron do të bëjë të njëjtën gjë si në Afrikë ku kemi një shifër të lartë të personave që e kanë kaluar, ndonëse ne këtu nuk kemi një studim për këtë”, thotë epidemiologu Ilir Alimehmeti.

Sipas tij, nga një studim të kryer në popullatën e re me studentë të fakultetit të Mjekësisë në muajin korrik, u konstatua se 52 përqind e tyre ishin positive, pa u prekur vendi akoma nga variant Delta dhe vaksinimi nuk kishte nisur për këtë moshë pra kjo tregonte  imunitet natyror.

“Mund të jemi afro 50 përqind, me ndryshime midis qyteteve dhe moshave ku moshat e reja kanë përqindje më të lartë në zonat urbane.

Si rrjedhojë Omicron do të na gjejë në situata të ngjashme me Afrikën e Jugut ku solli rritje të rasteve por  spitalet nuk u mbipopulluan e po ashtu s’pati shtim të vdekshmërisë.

Nëse krahasohemi me variantin Delta, Omicron në Afrikë ka  20-25 vdekje në javë, për valën Delta patën 1600-1700  në javë.

Megjithatë do të shohim shpejt nga Britania e Madhe, dhe kjo është ca na pret në fund, ndërmjet 2021-in 2022 do e shohim më 15 janar ku jemi me Omicron”.

Referuar festave të fundvitit, doktor Alimehmmeti thotë se ardhja e emigrantëve pritet të jenë shkak për rritjen e infektimeve,  sikurse ndodhi në verë ku emigrantët e kthyer në Kosovë  sollën variantin Delta  dhe me dy tre javë u rritën rastet  dhe në Shqipëri pas Kosovës dhe Maqedonisë.

Situata epidemiologjike Dimër 2020-dimër 2021

Vala e parë e pandemisë

Vjeshtë 2020, rritje e kurbës së rasteve

Goditja më e fortë për Tiranën, tetor-dhjetor 2020

Vala e dytë e pandemisë

Varianti Alfa janar-shkurt 2021

Vala e tretë e pandemisë

Variant Delta gusht 2021

Vala e katërt e pandemisë

Varianti Omicron dhjetor 2021

Vaksinimi janar-shkurt 2021, për personelin shëndetësor

Vaksinimi prill 2021, popullata e përgjithshme (mosha mbi 70 vjec)


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë