Rend dhe Ligj

Pas Korçës, edhe avokatët e Shkodrës kundër hartës së re gjyqësore: Qëllim diabolik

Pas Korçës, edhe avokatët e Shkodrës rreshtohen kundër projektit të hartës së re gjyqësore, e cila parashikon shkrirjen e 36 gjykatave në vetëm 20 të tilla në të gjithë vendin.

Sipas tyre, reduktimi i gjykatave nuk i shërben qytetarëve dhe e zhyt vetë sistemin në vështirësi.

Kreu i Dhomës së Avokatisë në Shkodër, Anton Kosteri, u shpreh se shkrirja e gjykatave është në shkelje të rëndë të interesit publik të qytetarëve.

“E kundërshtojmë këtë draft, i cili për mendimin tonë është në kundërshtim dhe në shkelje të rëndë të së drejtës së aksesit në gjykatë të qytetarëve. Ne vlerësojmë se kjo hartë është në shkelje të rëndë të interesit publik të qytetarëve duke u larguar atyre gjykatën nga vendi i tyre i banimit”.

Sipas tij, skema e re i detyron qytetarët nga skajet më të largëta ta Shqipërisë të shkojnë në Tiranë, ku “përveç kostove të udhëtimit duhet të gjejnë dhe një hotel në Tiranë pasi nuk mund ta bëjnë brenda ditës.

Kosteri thotë se qëllimi i këtij drafti është “diabolik dhe që i fshihet publikut, duke treguar dështimin katastrofik të reformës në drejtësi, që ka shkaktuar fillimisht bllokimin e GJL dhe GJK, dhe tani edhe vijon edhe me bllokimin e gjykatësve të Apelit dhe atyre Administrative, për shkak të strategjisë së gabuar”.

Kosteri  i bëri thirrje edhe dhomave të tjera që t’i bashkohen qëndrimit të Dhomës së Korçës dhe Shkodrës dhe ta kundërshtojnë këtë draft.

Një ditë më parë, kreu i Dhomës së Avokatisë në Korçë, Arben Lena, ishte i pari që kundërshtoi publikisht reduktimin e gjykatave të rretheve pas prezantimit të draftit nga KLGJ dhe Ministria e Drejtësisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë