Ronela Hajati është fituesja e Festivalit të 60-të të Këngës në RTSH.
“Sekreti” i Ronelës do të jetë kënga, e cila do të na përfaqësojë në Eurovizionin e 2022-shit që do të mbahet në Torino të Italisë.
Ronela ia dedikoi fitoren babait të saj të ndjerë.
“Ky çmim shkon për babain tim”, tha Ronela që shtoi se dhe e ëma që ndodhet në sallë të ndihet sot krenare për të.
Pas tri netësh konkurrimi, Ronela Hajati ishte për herë të parë fituesja e këtij festivali dhe do jetë përfaqësuese e Shqipërisë në Torino vitin e ardhshëm.
Ajo ka bërë edhe reagimin e parë në rrjetet sociale pas spektaklit ku është shprehur e lumtur dhe “pa fjalë” nga kjo fitore. Në postimin e saj në profilin në Instagram, këngëtarja premton që kënga e saj do të vijë e ndryshuar dhe me një video e performancë që do të mbahet mend.
“Shihemi në Torino! @eurovision Faleminderit të gjithë atyre që më kanë mbështetur gjithë këto vite! Ju dua me shpirt @rtshqiptar. Ju premtoj që do të bëj një riimprovizim, një video dhe një performancë që do të mbahet mend! Nuk kam fjalë…”, shkruan Hajati.
Ronela Hajati me këngën “Sekret” dhe bëhet pjesëmarrësja e 7-të e konfirmuar e Eurovision Song Contest 2022, duke ndjekur hapat e Jérémie Makiese (Belgjikë), Intelligent Music Project (Bullgari), Ëe Are Domi (Republika Çeke), Circus Mircus (Gjeorgji), Amanda Tenfjord (Greqi) dhe S10 (Holandë).
Në karrierën e saj, këngëtarja numëron një varg hitesh.
Kënga “Sekret” (që aludon për një marrëdhënie) u interpretua me një koreografi komplekse, ku një sërë balerinësh u ngjitën në skenë.
Ronela do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision, pas Anxhela Peristerit në Roterdam vitin e kaluar.
Fituesi i këtij viti u përcaktua nga një juri me fituesen e Festivalit të Këngës 2020 dhe pjesëmarrësen e Shqipërisë në Eurovizion 2021, Anxhela Peristeri, së bashku me Agim Doçin, Anxhela Faber, Osman Mula, Rozana Radin, Olsa Toqin dhe Olti Currin.
Në vendin e dytë u rendit Alban Ramosaj me këngën “Theje”. Ai performoi zbathur në natën finale të festivalit – ndoshta duke shpresuar të shtohej në listën e 5 fituesve të Eurovizionit pa këpucë: Sandie Shaë (1967), Sertab Erener (2003), Dima Bilan (2008), Loreen (2012) dhe Emmelie de Forest (2013).
Këtë vit kishte edhe një natë dedikuar përvjetorit të Festivalit, që ka pas vetes një pjesë të mirë të historisë kulturore shqiptare.
Netët e festivalit erdhën nën moderimin e Xhemi Shehut, Isli Islamit, Jonida Maliqit dhe Kelvi Kadillit. Në natën e dytë të festivalit u rikthye edhe Ardit Gjebrea, pas shumë vitesh në rolin e prezantuesit.
Festivali i Këngës në edicionin e tij të ’60, kishte 20 konkurrentë, me 17 të mëposhtmet që kaluan në finalen e madhe:
Olimpia Smajlaj – Dua
Denis Skura – Pse nuk flet, mama?
Kelly – Meteor
Sajmir Çili – Nën maskë
Ester Zahiri – Hiena
Kastro Zizo – Kujë
Urban Band – Padrejtësi
Gjergj Kaçinari – Në ëndërr mbete ti
Evi Reçi – Më duaj
Mirud – Për dreq
Endri & Stefi Prifti – Triumfi i jetës
Ronela Hajati – Sekret Fituese
Shega – Një
Janex – Deluzional
Eldis Arrnjeti – Refuzoj (Vendi i tretë)
Alban Ramosaj – Theje (Vendi i dytë)
Rezarta Smaja – E jemja nuse (Vendi i tretë)
Të 20 këngët (përfshirë tri këngët e eliminuara (‘Eja si erë’ e Viola Xhemalit; ‘Vallëzoj me ty’ e Kejsi Rustja dhe ‘Baladë’ e Xhuli Pjetraj) janë të disponueshme për t’u dëgjuar në kanalin RTSH në YouTube.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.