Muzike

Prezantohen 20 këngët e Fest ’60, sonte nata e nostalgjisë

Mbrëmjen e së hënës u mbajt nata e parë e Festivalit të ’60 në RTSh me prezantimin e 20 këngëve, që janë gjithsej në konkurrim këtë edicion të festivalit.  

20 artistët interpretuan Live këngët e shoqëruar nga Orkestra Simfonike e Radio Televizionit.

Njëri pas tjetrit u ngjitën në skenë këngëtarët; Evi Reçi, Saimir Çili, Kastro Zizo, Stefi dhe Endri Prifti, Ronela Hajati dhe Alban Ramosaj, Shega, Urban Band, Eldis Arrnejti, Ester Zahiri, Kejsi Rrustja, Olimpia Smajlaj, Viola Xhemali dhe Xhuljana Pjetra, etj. 6 prej këngëtarëve i përkisnin kategorisë së të rinjve.

Nata e parë e festivalit erdhi nën moderimin e Xhemi Shehut, Isli Islamit, Jonida Maliqit dhe Kelvi Kadillit. Pjesë e këtij edicioni do të jetë edhe Ardit Gjebrea, i cili do të rikthehet në festival pas shumë vitesh, në rolin e prezantuesit.

Ndërkohë, Anxhela Peristeri, Agim Doçi, Anxhela Faber, Osman Mula, Rozana Radi, Olsa Toqi dhe Olti Curri, janë ata që do gjykojnë dhe japin vlerësime për këngët pjesëmarrëse.

Nata e sotme (28 dhjetor) do t’i dedikohet përvjetorit të Festivalit, nostalgjisë, ku do të jenë të pranishëm emra që kanë lënë gjurmë në 60 vjet histori.

Finalja e 29 dhjetorit duket se do të jetë një garë e fortë mes Alban Ramosajt dhe Ronela Hajatit, këngët përfaqësuese të të cilëve janë më të suksesshmet në “Festivalin e Këngës” referuar shikimeve në YouTube.

Fituesi i këtij edicioni, si çdo vit, do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision, që do të mbahet në Itali, pas triumfit të grupit të rrokut “Maneskin”, vitin e shkuar.

Një vit më parë, në edicionin e 59-të u shpall fituese kënga “Karma” kënduar nga Anxhela Peristeri, e cila përfaqësoi Shqipërinë në “Eurovision 2021”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë