Shendet

Izrael, një kardiokirurg merr i pari dozën e 4 të vaksinës anti-Covid

“Është vetëm një pickim në shpatull, por një kërcim gjigant për njerëzimin”. Me këto fjalë, Jacob Levee, drejtor i njësisë së transplantit të Qendrës Mjekësore Sheba në periferi të Tel Avivit, komentoi administrimin e dozës së katërt të vaksinës kundër Covid.

Kirurgu i zemrës, ishte i pari që e mori atë në Izrael. Menjëherë më pas e ka marrë edhe Orna Rahminova, infermiere në të njëjtin spital, e cila ka nisur një studim për efektivitetin e dozës së dytë që do t’u injektohet rreth 150 anëtarëve të stafit mjekësor të spitalit.

Qendra Mjekësore Sheba, ka filluar administrimin e dozës së katërt të vaksinës Covid për një grup profesionistësh të kujdesit shëndetësor, në atë që quhet prova e parë e këtij lloji në botë, ndërsa qeveria po shqyrton nëse do të zgjasë administrimin e përforcuesit të katërt në gjithë popullsinë për të parandaluar përhapjen e variantit Omicron.

Tani për tani, doza e katërt do t’u jepet 150 profesionistëve të kujdesit shëndetësor që kanë marrë dozën e tretë para datës 20 gusht dhe kanë më pak se 700 antitrupa, që do të thotë mbrojtje të ulët. Eksperimenti po kryhet në bashkëpunim me Ministrinë izraelite të Shëndetësisë, shpjegoi Jacob Levee, i cili tha gjithashtu se iu nënshtrua provës për të mbrojtur pacientët e tij të transplantuar në zemër, të cilëve “imuniteti pas dozës së tretë iu ul ndjeshëm”.

Të martën, kryeministri izraelit Naftali Bennett njoftoi se Izraeli do të jetë vendi i parë në botë që do të ofrojë dozën e katërt të vaksinës Pfizer-BioNTech për qytetarët mbi moshën 60 vjeç, njerëzit me sistem imunitar të dobët dhe profesionistët e kujdesit shëndetësor. Dhe ai u bëri thirrje objekteve shëndetësore në të gjithë vendin që të përgatiten për të nisur fushatën, por vendimi nuk është miratuar ende nga drejtori i ministrisë së Shëndetësisë Nachman Ash.

Studimi në Sheba, do të prodhojë rezultatet e para në ditët dhe javët në vijim, për të udhëhequr hapat e ardhshëm në fushatën e imunizimit, tha studiuesi kryesor i tij, Gili Regev Yochai. “Ky hulumtim është shumë i rëndësishëm sepse atëherë do të kemi të dhënat fillestare të sigurisë”, tha Regev Yochai.

Sipas të dhënave nga Ministria izraelite e Shëndetësisë, 1,760 persona rezultuan pozitivë për koronavirusin të dielën, e barabartë me pothuajse 2% të të gjitha testeve të kryera. 87 persona janë shtruar në gjendje të rëndë spitalore, nga të cilët 38 janë në terapi intensive.

Ekspertët izraelitë të shëndetit, thanë se edhe pse rastet e Omicron, janë më të buta se në valët e mëparshme, numri i personave të infektuar mund t’i vërë spitalet në mbingarkesë.

“Në 10 ditët e fundit, numri i njerëzve që rezultuan pozitivë për variantin Omicron ka shkuar nga 20 në ditë në 450. Kjo është një rritje prej më shumë se njëzet herë në 10 ditë, – tha  YnetEran Segal, profesor në Institutin e Shkencave Ëeizmann dhe konsulent i qeverisë izraelite për koronavirusin. – Unë parashikoj që brenda një jave do të shohim mijëra njerëz të rezultojnë pozitivë për Omicron dhe brenda dy javësh mund të thyejmë rekordin që nga fillimi i pandemisë: rreth 10,000 njerëz rezultojnë pozitivë çdo ditë”.

Ndërkohë, Izraeli ka njoftuar se do të shkurtojë kohën ndërmjet dozës së dytë dhe të tretë nga pesë muaj në tre për vaksinat kundër Covid të Pfizer, Moderna dhe AstraZeneca.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë